Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Legjislacion
, 11.04.2012
Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, të kryesuar nga kryetari i komisionit Arben Gashi, u shqyrtua raporti vjetor i Agjencisë Kundër Korrupsionit, për vitin 2011. Drejtori i AKK-së, Hasan Preteni, duke dhënë një prezantim të gjerë mbi aktivitetet e AKK-së, theksoi se vitin e kaluar janë hetuar 160 raste. Prej tyre më së shumti informacione për veprimet e mundshme korruptive janë pranuar nga kategoria e institucioneve tjera (Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, PTK-ja, KEK-u, RTK-ja, AKP-ja, dhe ish-ndërmarrjet shoqërore, ndërmarrjet tjera publike, si dhe institucionet e pavarura). Kundër tyre janë pranuar 60 raste. Sa i përket Qeverisë së Kosovës, ka pasur 30 raste. Në kategorinë e Pushtetit Lokal kanë qenë 56 sosh, ndërsa për Prokurorinë 3 raste dhe për Gjykatat 11 raste të dyshuara për veprime korruptive.
Më tej, Preteni gjatë prezantimit të tij para anëtarëve të komisionit tha se në rastet kur është konstatuar se ka të dhëna të mjaftueshme apo dyshim të arsyeshëm se rasti mund të përbëjë vepër penale të njëjtat janë përcjellë në Prokuroritë Publike kompetente të Kosovës dhe EULEX-it, si dhe organet policore kompetente dhe Policinë e EULEX-it për procedim të mëtejmë.
Nga numri i përgjithshëm i rasteve të proceduara në prokuroritë publike dhe organet policore kompetente, numrin më të madh e tyre e përbëjnë veprimet korruptive: shpërdorimi i pozitës zyrtare.
Tutje, Preteni tha se karakteristikat e veprave më të shpeshta janë qëllimi i përfitimit në mënyrë të paligjshëm. Problemet më të shumta kanë të bëjnë me fushën e prokurimit, duke përmendur kështu falsifikimin e dokumentacioneve të ndryshme. "Kemi identifikuar 6 kontrata për të cilat janë dhënë mjete, por asnjëra nga to nuk ka hyrë në funksion" theksoi Preteni, duke shtuar më tej se 90 për qind e rasteve të hetimeve nga EULEX-i, zanafillën e kanë nga AKK-ja.
Preteni më tej sqaroi se 96.16 për qind të zyrtarëve e kanë deklaruar pasurinë. Ndërkaq, 88 zyrtarë nuk e kanë respektuar këtë obligim ligjor.
Krejtësisht në fund ai tha se në AKK nuk ka pasur shkelje të ligjit, nuk ka pasur shkelje e as falsifikim të dokumentacioneve, e as keqpërdorim të buxhetit.
Anëtarët e Komisionit duke vlerësuar këtë raport korrekt kërkuan sqarime të shumta nga drejtori i AKK-së. Mes tjerash ata kërkuan sqarime se çfarë është ndërmarrë për të parandaluar korrupsionin faktik në vend, si dhe të ulet perceptimi që është krijuar për korrupsionin.
Disa nga anëtarët e komisionit kërkuan që të krijohet në sektor i veçantë i cili do të merrej me origjinën e kompanive të cilët janë fituesit më të mëdhenj të tenderëve dhe të bëhet një studim për këto kompani. Më tej, po ashtu u kritikua edhe strategjia e AKK-së duke u theksuar se është e mangët. Gjatë këtij takimi nga Preteni u kërkuan sqarime se sa janë të sakta deklarimet e pasurisë së zyrtarëve dhe nëse AKK-ja është marrë me hetime të mëtejmë lidhur me këtë.
Preteni duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarëve të komisionit tha se perceptimi i përgjithshëm për korrupsionin do të ndryshohej nëse institucionet reflektojnë më pozitivisht, duke informuar qytetarët me veprime dhe shifra konkrete.
Sa i përket deklarimit të pasurisë janë shënuar lëvizje pozitive, meqë numri i deklarimit të zyrtarëve që deklarojnë pasurinë është më i madh, tha Preteni.
Më tej anëtarët e komisionit përkrahën raportin vjetor të Agjencisë Kundër Korrupsionit, për vitin 2011, i cili mund të procedohet më tej.
Përkrahjen e anëtarëve të komisionit e morën edhe propozim amendamentet e grupit punues për Projektligjin për marrëdhëniet e detyrimeve, si dhe propozim amendamenti për Projektkodin Penal të Kosovës.
Gjatë mbledhjes së sotme u shqyrtua edhe raporti me amendamente të komisionit funksional për Projektligjin për mbeturina nr. L-60, si dhe
raporti me amendamente të komisionit funksional për Projektligjin nr. 04/L-102 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat, të cilat po ashtu u përkrahën nga anëtarët e komisionit.