Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kuvendit

, 12.04.2012




Mbledhja e sotme plenare e Kuvendit të Kosovës, filloi jo si zakonisht me shqyrtimin e pikave të rendit të ditës, të cilat Kryesia e Kuvendit i kishte paraparë për sot. Në hapje të punimeve të kësaj mbledhje të kryesuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, deputetët e Vetëvendosjes Glauk Konjufca e Visar Ymeri, shpalosën një pankartë me emrin e dëshmorit Enver Zymberi (i vrarë në korrik të vitit të kaluar me rastin e intervenimit të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të Mitrovicës), dhe të Selver Haradinaj, qytetar i vrarë ditë më parë, po ashtu në veri të qytetit të Mitrovicës. Pas kësaj, kryetari i Kuvendit, Krasniqi vendosi për një pauzë për tu konsultuar me shefat e grupeve parlamentare.

Ndonëse ishin bërë konsultime në mes të shefave të grupeve parlamentare, gjendje pothuajse e tensionuar në mbledhje vazhdoi edhe pas pauzës. Deputetët Konjufca e Ymeri, vazhduan qëndrimin pranë foltores së Kuvendit, me ç'rast kryeparlamentari Krasniqi i luti për të zënë vendet e tyre dhe të vazhdohet me mbledhjen. Deputetët e VV-së, edhe me këtë rast nuk iu bindën fjalës së kryeparlamentarit, i cili së fundmi i paralajmërojë se do të largohen nga organet e sigurisë së Kuvendit. Pas kësaj, lidhur me kërkesën e VV-së për mbledhje të jashtëzakonshme, u deklaruan edhe një herë shefat e grupeve parlamentare, të cilët unanimisht u deklaruan në favor të mbledhjes së jashtëzakonshme, me kusht që kryeministri i vendit dhe kabineti qeveritarë të jenë në mbledhje. Po ashtu, shefat e grupeve parlamentare, veprimin e sotëm të VV-së, e gjykuan si të panevojshëm i cili Kuvendit të Kosovës i krijon imazh të keq te qytetarët e vendit. Për më shumë, kryeparlamentari Krasniqi, këtë qëndrim të VV-së e cilësoi si terrorizëm politik nga ana e VV-së që po ua bënë qytetarëve dhe deputetëve. Ai edhe një herë përsëriti kërkesën që të zbatohet Rregullorja e Kuvendit, përkatësisht neni 41 i saj për krijimin e kushteve që të vazhdoj seanca.

Në përpjekje për të gjetur rrugë për vazhdim të mbledhjes, deputetët për një moment e panë të rrugës që t'i kthehen rendit të ditës. Me këtë rast, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, kërkoi që të tërhiqet nga rendi i ditës shqyrtimi i Projektligjit për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jobankare. Këtë kërkesë, Beqiri e mbështeti në një marrëveshje të mëhershme në mes të grupeve parlamentare. Lidhur me këtë, reagoi Adem Grabovci, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, i cili tha se në mbledhjen paraprake ai nuk ka kërkuar që ky Projektligj të tërhiqet dhe t'i kthehet Qeverisë, por, ka kërkuar që të gjendet koncenzus me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN). Ai me këtë rast tha se në kapitullin e dytë të Projektligjit, në marrëveshje edhe me FMN-në, është futur një pasus i cili më herët ka qenë i kontestuar. Sipas tij, pas marrëveshjes me FMN-në, Projektligji duhet të jetë i pranueshëm për të gjithë, duke përkujtuar se miratimi i tij i siguron Kosovës 160 milion euro. Pas kësaj, kreu i Kuvendit Krasniqi, edhe një herë u bëri thirrje deputetëve Konjufca e Ymeri që të lirojnë hapësirën në mënyrë që të krijohen kushte për vazhdim të mbledhjes, dhe pas kësaj përsëri vendosi për pauzë.

Pas pauzës së dytë, deputetët iu kthyen punës së Kuvendit, ku edhe kësaj here para foltores me pankartë qëndronin deputetët e VV-së. Në këto rrethana, jo edhe aq të favorshme për mbledhje plenare, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Adem Grabovci, ishte i mendimit se pavarësisht qëndrimit të dy deputetëve të VV-së, Kuvendi duhet të vazhdojë punën sipas rendit të ditës me shqyrtimin e Projektligjit për bankat, institucionet mikrofinaciare dhe institucionet financiare jobankare. Pas shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, fjalën e mori Ismet Beqiri, i cili në emër të Grupit Parlamentar të LDKsë, ngriti mocionin për tërheqjen e Projektligjit nga rendi i ditës. Me këtë rast, deputetët votuan kundër këtij mocioni. Ky votim bëri që deputetët e LDK-së, VV-së dhe të AAk-së të lëshojnë sallën e Kuvendit, ndërkaq pjesa tjetër e deputetëve (kryesisht të pozitës) vazhduan me shqyrtimin e Projektligjit.
Me këtë rast, gjatë shqyrtimit të amendamenteve deputetët nuk paraqitën vërejtje esenciale rreth Projektligjit dhe i miratuan ato. Pas miratimit të amendamenteve, deputetët po ashtu miratuan Projektligjin në tërësi, pa as një votë kundër.

Nga mbledhja e KuvenditNga mbledhja e KuvenditNga mbledhja e KuvenditNga mbledhja e Kuvendit