Lajmet e fundit

Kryekuvendari Krasniqi mori pjesë në manifestimin “Takimet e Gjeçovit” në Zym të Hasit

, 14.04.2012




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, mori sot pjesë në manifestimin letrar, kulturor e shkencor "Takimet e Gjeçovit", që u mbajt si tradicionalisht në Zym të Hasit. Kreu i Kuvendit në fillim zbuloi obeliskun, i cli ishte ngritur në shenjë të 310 - vjetorit të strehimit të ipeshkëve të Shkupit në këtë ambient. Pastaj kryekuvendari mori pjesë edhe në hapjen e një ekspozite në Muzeun e këtushëm.

Në hapje të manifestimt, kreu i legjislativit të vendit iu drejtua pjesëmarrësve me një fjalë rasti. Pasi përshëndeti të pranishmit, kryekuvendari Krasniqi theksoi:"

Manifestimi kulturor, artistik e letrar "Takimet e Gjeçovit", që mbahet këtu në Zym të Hasit për të dyzetenjëtën herë me radhë, mund të thuhet se shënon tashmë një traditë. Po të rrumbullakojmë shifrat sipas logjikës së matematikanëve, i bie rreth gjysmë shekulli.
Emërtimi i tij sipas të përndriturit, të lindur Mëhill Kostandin Gjeçi-Kryeziu, përkatësisht Shtjefën Gjeçovi, më 1873, e nderon figurën e tij prej veprimtari të shquar të lëvizjes atdhetare, arkeologu, etnografi, shkrimtari e kleriku i cili me jetën dhe veprën e tij nderoi kombin dhe gjithë epokën e pavarësisë.

Veprimtaria e tij është tashmë shumë e njohur dhe pa pretenduar të bëj biografinë e tij, nuk mund të kaloj pa përmendur veprën e tij "Agimi i Gjytetnisë", më 1910, mu në vigjilje të ngjarjeve të mëdha, por as veprën e tij monumentale për kombin, "Kanunin e Lekë Dukagjinit".

Këtë vit shënojmë 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, Ditës së Flamurit. Gjeçovi punoi për këtë ditë dhe e priti atë, u gëzua për atë, por, brezi i tij se jetuan dot.

Më këtë rast dua t'ju kujtoj edhe dy fakte që ndërlidhën me këtë Ditë të Madhe.

Vetëm tridhjetë e tri ditë pas shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, në Prekaz të Drenicës, Ahmet Delia ngre pushkën e rezistencës si jehonë vazhdimësie kundër robërisë që vazhdojë për gati një shekull.

Ndërkaq, vetëm 19 ditë më vonë, pikërisht në janar të 1913-ës, po këtu në Kishë të Zymit, në përkrahje të Pavarësisë, mblidhen burra e kuvendarë për të biseduar për fatet e pjesës së robëruar.

Derisa në kambanoren e kishës valëvitej flamuri kombëtar, Patër Prela me zërin e tij bubullimë i bënte jehonë Vlorës heroike, Vlorës së flamurit.

Përvjetorët e këtillë, aq më tepër kur shtrihen në përmasë shekulli, padyshim që në sfondin e vet përmbajnë shkaqet, shkaset e motivet për kujtesën e kujtimet e lavdishme e të dhimbshme, për reflekse e reflektime, krahas mbushjes së shpirtit me ndjenjën emocionale të atdhedashurisë e të lirisë.

Zonja e zotërinj,

Një shekull më parë, burri i mençur, Ismail Qemaili, në emër të shqiptarëve dhe duke sublimuar luftërat e tyre të pareshtura për liri dhe mëvetësi shtetërore, ngriti flamurin e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorën e qëndresës e të krenarisë shqiptare.
Pavarësia e Shqipërisë ishte vepër e vetë shqiptarëve, prijësit e të cilëve shfrytëzuan edhe rrethanat e reja historike që u krijuan në rajon dhe mbështetjen e disa faktorëve relevantë ndërkombëtarë të kohës, por nuk munguan as kundërshtarët fuqiplotë.

Në jetën e shqiptarëve 28 Nëntori, si një refren historik, përfaqëson periudha të lavdishme që lidhen me idealet shqiptare dhe me luftërat çlirimtare, duke filluar nga viti mesjetar 1444, kur heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti, ngriti flamurin mbi kalanë e Krujës dhe deri te 28 nëntori i vitit 1955, kur Kosova ia lindi kombit komandantin e ardhshëm legjendar, Adem Jashari dhe te nëntori i shpalljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 1997.

Pas epokës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të larë në gjak dhe rezistencës së copëzuar krahinore në vijim, kryengritjet e përgjithshme të viteve 1910-1912 dhe besëlidhjet shqiptare të asaj kohe i dhanë grushtin e fundit pushtuesve shekullorë, duke çuar kështu në 28 Nëntorin e vitit 1912, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.

Shqipëria e pavarur u ndodh shpejt para sfidave tepër të rënda, të rimëkëmbjes, të njohjes ndërkombëtare dhe të ruajtjes së integritetit e sovranitetit të saj nga fqinjët grabitqarë. Njëri prej tyre, Serbia ekspansioniste, e cila ishte përpjekur ta pengonte formimin e shtetit shqiptar, dhe pasi e kishte pushtuar Kosovën duke e larë në gjak, gjatë Luftës së Parë Botërore, në qershor të vitit 1915, arriti madje të hynte thellë në territorin shqiptar, duke pushtuar Elbasanin dhe Tiranën, ndërsa në anën tjetër, në Shqipërinë e Jugut, qetat shoviniste greke bënin kërdinë.

Në vitet e para të pavarësisë së Shqipërisë, diplomacia e hapur dhe e fshehtë ndërkombëtare, me ndonjë përjashtim, veproi kundër interesave të shqiptarëve, duke i bërë monedhë kusuritjeje territoret dhe sovranitetin e tyre.

Jashtë kufijve të shtetit shqiptar, mbetën pa të drejtë gjysma e popullit shqiptar dhe e territorit të tij, të aneksionuar me dhunë dhe terror të pashembullt. Konsolidimi i pavarësisë së Shqipërisë dhe zhvillimi i saj, mbetën peng i gjendjes së gjysmës së kombit të ndarë e të robëruar shqiptar, për gati edhe një shekull tjetër.

Zhvillimet historike të kombit tonë ecën në dy binarë të ndarë: Gjysma e tij në Shqipërinë londineze, vazhdoi pareshtur përpjekjet për forcimin e themeleve të shtetit shqiptar, të lirë e demokratik, për fuqizimin e subjektivitetit të tij ndërkombëtar dhe për zhvillimin e gjithmbarshëm shoqëror, politik e ekonomik, kurse gjysma tjetër, nën sundim dhe shtypje të egër, vazhdoi luftën titanike për të drejta legjitime, për liri dhe bashkim kombëtar.

Historia më e re e kombit tonë, u sublimua me Luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008.

Duke qenë historia njerkë ndaj nesh, zakonisht jemi vonuar në histori. Shqipëria e shpalli pavarësinë, kur të gjitha vendet e saj fqinje, tashmë ishin të pavarura, kurse Kosova u pavarësua e fundit nga subjektet konstituive të Federatës së Jugosllavisë. Tashti, jo vetëm nuk kemi më kohë për të humbur, por duhet kompensuar hapat e munguar. Shqiptarët, vetëm duke dyfishuar ritmet e zhvillimit historik, mund të barazohen me kombet e zhvilluara, vetëm duke shfrytëzuar gjithë potencialin dhe vlerat kombëtare, mund të hyjnë denjësisht dhe kokëlartë në familjen e madhe të kombeve të integruara evropiane.

Kombi shqiptar nuk është më ai i para një shekulli, por një komb modern, i konsoliduar, me shtetësi dhe perspektivë të qartë, në partneritet të fuqishëm ndërkombëtar dhe me ideale të larta për liri, paqe e demokraci.

Në gjithë Gadishullin tonë, po bëhet zotërues ideali i integrimeve e i partneritetit midis kombeve dhe vendeve. Kombi ynë është kthyer drejt së ardhmes së tij demokratike e evropiane. Ai do të integrohet në familjen e madhe evropiane, atje ku e ka vendin që nga antika ilirike. Para së të arrijmë atje, para gjeneratës sonë shtrohet domosdoshmërish unifikimi i tregut të përgjithshëm kombëtar.

Realiteti i ri i krijuar në Ballkan, sidomos pas Luftës çlirimtare të Kosovës, solli në këtë pjesë të Evropës prezencën ushtarake të NATO-s. Vendosmëria e këtij institucioni të rëndësishëm të sigurisë globale, për të mos lejuar përsëritjen e historisë tragjike, luan një rol të madh në zhdukjen e të gjitha tendencave luftënxitëse në rajonin tonë.

Shekulli XXI kërkon qasje të re në raportet e politikave të jashtme dhe të brendshme të shteteve ballkanike. Kjo qasje duhet të mbështetet në vlerat euroatlantike, duke nxjerrë konkluzione të drejta mbi të kaluarën e hidhur, duke zëvendësuar urrejtjen ndëretnike e shovinizmin me respektin reciprok, etnocentrizmin me solidaritetin, ekskluzivitetin me integrimet, mosdurimin nacional me diversitetin etnik, kulturor, gjuhësor e fetar, si pasuri vlerash demokratike. Për të ndodhur kjo kthesë, rajonit tonë i duhen liderë që kanë vullnetin dhe guximin për të ndërtuar vizionin e vlerave evropiane.

Në jubileun e pavarësisë së Shqipërisë, vjen fuqishëm zëri i kushtrimit nga viti i madh 1912, nga brezat e dëshmorëve të para dhe pas saj, për të mbrojtur fitoret historike, për të kultivuar vlerat e traditës së shkëlqyer të kombit tonë dhe për të përparuar e zhvilluar vendin e të parëve tanë, ky është obligim që duhet të na përcjell në çdo kohë të ditës 24 orëshe.

Para nesh është beteja e madhe e zhvillimit ekonomik, e zhdukjes së varfërisë, e zhvillimit demokratik dhe e sundimit të plotë të ligjit e të rendit në shoqëri. Mirëqenia i duhet kombit e jo vetëm individit.

Në kujtim të 28 Nëntorit 1912, brezi ynë përkulet me pietet para gjithë themeluesve të shtetit shqiptar dhe dëshmorëve të lirisë e të pavarësisë.

Lavdi gjithë brezave që vunë nga një gur në Kalanë e kombit!
Nderi qoftë me zymjanët atdhetarë!", tha kryekuvendari Krasniqi.

 

Kryekuvendari Krasniqi mori pjesë në manifestimin “Takimet e Gjeçovit” në Zym të HasitKryekuvendari Krasniqi mori pjesë në manifestimin “Takimet e Gjeçovit” në Zym të Hasit