Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...
, 14.05.2012
Kryesuar nga kryetarja Suzan Novobërdaliu, Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione në mbledhjen e sotme diskutoi për Raportin e monitorimit të Ligjit për barazi gjinore. Po ashtu, në këtë mbledhje u diskutua edhe për mundësinë e një debati parlamentar për të drejtat e fëmijëve.
Lidhur me monitorimin e Ligjit për barazi gjinore njoftoi kryesuesja e grupit punues Suzan Novobërdaliu, e cila sqaroi se gjatë monitorimit të këtij Ligji kanë realizuar vizita në teren, ndërkaq të gjeturat lidhur me të janë përfshirë në Raportin e formuluar nga grupi punues. Ajo po ashtu tha se në Raport janë të paraqitura rekomandimet për ministritë përkatëse.
Komisioni ndërkaq, lidhur me procedimin e mëtutjeshëm të këtij Raporti do të vendosë në një nga mbledhjet e radhës.
Në vijim, anëtarët e Komisionit në mënyrë unanime përkrahën idenë e UNICEF-it për debat parlamentar për të drejtat e fëmijëve. Lidhur me këtë, Komisioni do të kërkojë nga Kryesia e Kuvendit që këtë temë ta radhisë në rend dite dhe të diskutohet për të me një qershor, në Ditën botërore të fëmijëve.
Në këtë mbledhje, Komisioni shqyrtoi edhe disa kërkesa të qytetarëve.
Për kërkesat e banorëve të komunës së Obiliqit dhe fshatit Orllan të komunës së Podujevë, Komisioni premtoi angazhim të pakursyer për tejkalimin e problemeve që aktualisht kanë banorët e këtyre vendeve.