Lajmet e fundit

Lutfi Haziri priti zëvendëskryetarin e Parlamentit Austriak, Fritz NEUGEBAUER

, 17.05.2012




Kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane i Kuvendit të Kosovës, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga deputetët: Hydajet Hyseni dhe Blerta Deliu-Kodra, priti sot zëvendëskryetarin e Parlamentit Austriak, Fritz Neugebauer, i cili drejton një delegacion nga ky vend, në kuadër të vizitës që po i bën Kosovës.

Në emër të kryeparlamentarit Krasniqi dhe të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Haziri i ka uruar mirëseardhje në Kosovë parlamentarit austriak dhe delegacionit që e kryeson. Ai e ka falënderuar shtetin dhe popullin e Austrisë për mbështetjen gjatë gjithë procesit të çlirimit dhe të pavarësisë së Kosovës. Në vazhdim ka folur për punën e legjislativit të vendit, si dhe për aktivitetet e pritshme gjatë kësaj periudhe të përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur të vendit. Ai k folur edhe për politikat institucioneve të Kosovës për integrimin e pakicave, si dhe për përfaqësimin mbiproporcional të tyre në Kuvendin e Kosovës.

Zëvendëskryetari i Parlamentit Austriak, Fritz Neugebauer, duke shprehur kënaqësinë që gjendet për vizitë në Kosovë, u ka përcjellë kryetarit deputetëve të Kuvendit përshëndetjet e kryeparlamentares austriake, Barbara Pramer dhe urimet e saj për suksese të popullit të Kosovës në rrugën demokracisë dhe të përparimit. Ai është shprehur i bindur se për marrëdhënie të mira ndërmjet vendesh e popujsh nuk mjaftojnë vetëm takimet e qeveritarëve, të ambasadorëve a të shoqërisë civile, por nevojiten, sidomos, takime sa më të shpeshta të përfaqësuesve të zgjedhur të tyre.

Duke folur për rëndësinë që ka për Austrinë paqja dhe stabiliteti kësaj pjese të Evropës Juglindore, Neugebauer është interesuar të dijë mendimin e deputetëve të Kosovës për reflektimin e mundshëm të raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale serbe që do të mbahen edhe në Kosovë.

Duke e vlerësuar lartë rolin e pjesëtarëve austriakë në Formacionet e KFOR-it, të vendosura në veri të Kosovës, të cilët janë përballur me sukses me revoltat e nxitura të serbëve atje, deputeti Hydajet Hyseni ka theksuar synimin e përhershëm të institucioneve të Kosovës për të vënë rend dhe rregull në gjithë territorin e Kosovës, për demokratizimin dhe për evropianizimin e vendit. Këtë edhe do ta arrinim më lehtë sikur një pjesë e pranisë ndërkombëtare në Kosovë të mos yshte zgjidhje e ndarje etnike në Kosovë, që trimëron regjimin e Beogradit dhe që, në instancë të fundit, janë kundër vetë qytetarëve tanë me kombësi serbe dhe që bëhen model i keq për probleme të ngushmë në gjithë Evropën Juglindore. " E kemi gatishmërinë që të falim për të kaluarën, por nuk bën ta falim të ardhmen tonë", ka theksuar Hyseni.

Lutfi Haziri, ndërkaq, ka uruar që të fitojnë forcat demokratike dhe proevropiane në Serbi, megjithëse ka pohuar se ato nuk dallojnë shumë në qëndrimin për Kosovën.

Deputetja Blerta Deliu-Kodra ka folur për përfaqësimin e gruas në Kuvendin e Kosovës, si dhe për punën e Grupit të Grave Deputete.

Bashkëbiseduesit janë pajtuar për domosdoshmërinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve , si dhe të komisioneve të tyre parlamentare.

Lutfi Haziri priti zëvendëskryetarin e Parlamentit Austriak, Fritz NEUGEBAUER