Lajmet e fundit
Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës
, 21.05.2012
Në mbledhjen e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Ahmet Isufi, u diskutua për realizimin e planit të komisionit për periudhën janar - maj.
Pas diskutimit të anëtarëve të komisionit lidhur me angazhimet e deritanishme të komisionit, të cilët vlerësuan se janë realizuar aktivitetet e planifikuara të komisionit, u theksua edhe fakti se në tre muajt e ardhshëm anëtarët e komisionit do të vizitojnë Komandën e Forcave Tokësore, Akademinë Policore në Vushtrri, Qendrën e Situatave, etj, ndërkaq më tej u tha se duhet realizuar edhe një takim me përfaqësues të Agjencisë Kundër Korrupsionit.
Anëtarët e Komisionit u njoftuan edhe për vizitën studimore që ata kanë realizuar në Slloveni, me ç‘rast u vlerësua një punë e frytshme atje.
Krejtësisht në fund u diskutua edhe për shqetësimet që ka ngritur në komision Shoqata e Gjuetarëve. U tha se Ligji për Armët është në kundërshtim me Ligjin për Gjueti, andaj u theksua se këto dy ligje duhet të harmonizohen me njëra tjetrën dhe nuk duhet të ketë vendime të posaçme për këtë çështje. Me këtë rast u formua një grup pune për të zhvilluar një takim me administratën e Ministrisë së Punëve të Brendshme lidhur me këtë çështje.