Lajmet e fundit
Grupi i të Rinjve Deputetë u takua me përfaqësues të UNDP-së në Kosovë
, 23.05.2012
Grupi i të Rinjve Deputetë (GRD) në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në kuadër të angazhimeve për bashkërendimin e aktiviteteve me partnerë relevantë, u prit në një takim nga zëvendës përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Kosovë, Steliana Nedera.
Kryetarja e GRD-së, Ganimete Musliu, duke e falënderuar zonjën Nedera për mikpritjen, prezantoi në mënyrë të detajuar synimet dhe angazhimet e grupit me qëllim të fuqizimit të rinjve në Kosovë, si dhe nënvizoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në të ardhmen. Ajo kërkoi mbështetje nga UNDP në realizimin e aktiviteteve specifike të cilat ndikojnë në implementimin e objektivave të synuara.
Anëtari i bordit të GRD-së, Jeton Svirca, theksoi kohezionin i cili ekziston brenda grupit si dhe nevojën e angazhimeve të përbashkëta në frymë partneriteti me qëllim të thellimit të bashkëpunimit dhe arritjes së rezultateve të cilat ofrojnë më shumë mundësi për të rinjtë në Kosovë.
Në anën tjetër, zonja Nedera elaboroi fushëveprimin dhe fokusin e UNDP-së bazuar në strategjinë 2012-2015, me theks të veçantë aspektet në të cilat përfshihen të rinjtë. Ajo shprehu gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin me GRD-në si dhe vullnetin për të përkrahur aktivitetet e këtij grupi, veçanërisht përmes angazhimeve të përbashkëta.