Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit

, 25.05.2012




Kuvendi i Republikës së Kosovës, në vazhdimin e sotëm të mbledhjes plenare, të kryesuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar, ka miratuar pesë raporte vjetore të agjensioneve të pavarura, dy propozime dhe një raport komisioni.

Pasi që debati për raportet e Agjencisë Kosovare të Pronës, Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave dhe Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, për vitin 2011, ishte shterur gjatë ditës së djeshme, u hodhën në votim dhe u miratuan nga deputetët e Kuvendit.

Kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Zenun Pajaziti, ndërkaq, arsyetoi rekomandimin e këtij komisioni për raportin e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), për vitin 2011. Pas përkrahjes nga ana e përfaqësuesve të grupeve parlamentare, Kuvendi miratoi raportin e KPMM-së. Përkrahjen e deputetëve e mori, gjithashtu, edhe propozimi i Qeverisë së Kosovës, lidhur me "Listën për Rentat Minerare".

Propozimi i Institutit Gjyqësor të Kosovës (IGJK) për emërimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të këtij instituti dhe rekomandimi i Komisionit për Legjislacion, u prezantua nga kryetari i këtij komisioni, Arben Gashi. Kuvendi miratoi listën prej tetë të propozuarve për anëtarë të Këshillit Drejtues të IGJK-së, në këtë përbërje: Fejzullah Hasani (Gjykata Supreme e Kosovës), Nebojsha Boriçiq (Gjykata Supreme e Kosovës), Laura Pula (Prokuroria Publike e Kosovës), Osman Ismaili (Fakulteti Juridik), Rexhep Murati (Shoqata e Juristëve të Kosovës), Idain Smaili (Shoqata e Prokurorëve të Kosovës), Ramë Gashi (Oda e Avokatëve të Kosovës) dhe Ymer Hoxha (Shoqata e Gjyqtarëve të Kosovës). U miratua, gjithashtu, edhe raporti i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, lidhur me Mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës.

 

Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të KuvenditNga vazhdimi i mbledhjes plenare të KuvenditNga vazhdimi i mbledhjes plenare të KuvenditNga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit