Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi priti ish-shefin e Zyrës Amerikane në Prishtinë, ambasadorin Menzies
, 28.05.2012
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në takim ish-shefin e Zyrës Amerikane në Prishtinë, ambasadorin John Menzies, aktualisht dekan i Fakultetit të Diplomacisë dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin "Setten Hall University", të shoqëruar nga profesori Robert Barry, ish-ambasador amerikan, si dhe 20 studentë të këtij fakulteti.
Kryeparlamentari Krasniqi, fillimisht, dha një pasqyrë të zhvillimeve historike të Kosovës që nga vitet 1912-1913, duke vënë në pah përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për liri, përgjatë dekadave, deri në shpalljen e pavarësisë. Kreu i Kuvendit veçoi koordinimin e Kosovës me miqtë e saj ndërkombëtarë, si dhe përkrahjen që ajo ka marrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe vendet e fuqishme të Bashkimit Evropian, në çlirimin dhe pavarësimin e vendit.
Krasniqi u fokusua edhe në miratimin e infrastrukturës juridike, me ç'rast potencoi të drejtat edhe garancitë që Kushtetuta e vendit u jep komuniteteve pakicë, veçanërisht atij serb, si në pushtetin lokal, ashtu edhe në atë qendror.
Kryetari i Kuvendit gjithashtu, bëri një ekspoze të zhvillimeve të fundit në Kosovë dhe të punës së legjislativit të vendit. Ai foli për sfidat me të cilat po përballet shteti i Kosovës dhe Kuvendi, duke përmendur zhvillimin ekonomik të vendit, sundimin e rendit dhe të ligjit, nevojën për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, integrimin euro-atlantik dhe pengesat që Kosova po has në këtë rrugë si pasojë e mos njohjes nga të gjitha vendet e BE-së etj.
Ambasadori Menzies theksoi se ndihet mirë që është kthyer në Prishtinë dhe po e sheh Kosovën të lirë dhe të tërë.
"Më vjen mirë që po i shoh të gjitha këto ndryshime pozitive që kanë ndodhur. Mendoj që ju jeni në rrugë të mbarë, në krijimin e një shteti që do të jetë i fortë dhe kontribuues për mirëqenien e tërë rajonit", u shpreh ambasadori Menzies.
Studentët amerikanë, ndërkaq, u interesuan për një varg çështjesh që lidheshin me situatën aktuale në Kosovë dhe hapat që mund të ndërmerren për tejkalimin e sfidave më të cilat përballet vendi, veçanërisht në aspektin e zhvillimit ekonomik. Kryetari Krasniqi tha se Kuvendi përpiqet që nëpërmjet infrastrukturës ligjore t'iu krijojë mundësi institucioneve ekzekutive të ndërmarrin hapat e nevojshëm për shfrytëzimin e resurseve të vendit, zhvillimin e ekonomisë dhe përmirësimin e jetesës së qytetarëve.
Ambasadori Menzies dhe delegacioni që e shoqëronte, zhvilloi një takim edhe me kryetarët e grupeve parlamentare.