Lajmet e fundit
Mbledhje e Komisioni Parlamentar për persona të humbur dhe të kidnapuar
, 25.05.2004
Komisioni Parlamentar për persona të humbur dhe të kidnapuar në mbledhjen e sotme , në të cilën merrnin pjesë edhe përfaqësuesit e komiteteve përkatëse komunale, shqyrtoi zbatimin e Rezolutës për persona të humbur dhe të kidnapuar të Kuvendit të Kosovës.Si në fjalën hyrëse të kryetares së komisionit Flora Brovina, ashtu edhe në diskutimet që pasuan, u theksua se nga institucionet përkatëse është punuar pak në sendërtimin e kësaj rezolute.Kjo ishte pasojë edhe e mungesës së një strategjie për këtë çështje, për shkak të së cilës janë bërë edhe gabime. Reflektime mjaft negative në këtë aktivitet sjell fakti që Kosova ende nuk ka Zyrë për persona të humbur dhe të kidnapuar, megjithë faktin se janë siguruar mjetet për ngritjen e saj . Bisedimet me Serbinë u tha se duhet të kushtëzohen edhe me çështjen e ndriçimit të fatit të të humburve dhe të kidnapuarve, duke ditur se Serbia po e zvarrit këtë process me qëllime të caktuara.Kofomat e shqiptarëve të vrarë po kthehen pjesë – pjesë, në kontejnerët e Rahovecit presin për t’ u identifikuar qindra kufoma, të cilat me kohë po dekompozohen, ashtu si ngjet edhe në Batajnicë.Këto fakte duhet të alarmojnë edhe institucionet ndërkombëtare, sidomos UNMIK-un, për një presion më të ngulmët ndaj Serbisë, që ajo ta angazhohet më shumë për të zbardhur fatin e të zhdukurve.Në këtë aspekt nuk kënaq as angazhimi i Komisionit ndërkombëtar, i cili në Kosovë nuk ngriti asnjë laborator, duke bërë pa të drejtë një përjashtim në kuadër të rajonit . Vëmendja e të pranishmëve i përqendrua edhe në çështjen e identifikimit të personave dhe formacioneve militare serbe që kryen masakrat, duke theksuar se, megjithë faktin që për këtë është i autorizuar Tribunali i Hagës, kjo assesi nuk e përjashton mundësinë që edhe familjarët të ngrenë aktpadi në gjykata kundër atyre që bënë krime.