Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Daci u takua me kryetarët e komunave të Kosovës
, 25.05.2004
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci i ka takuar sot kryetarët e asambleve komunale dhe ka biseduar me ta për çështjet e bashkëpunimit ndërmjet pushteteve të të dy niveleve dhe për problemet që e preokupojnë pushtetin lokal. Professor Daci në fjalën e tij para udhëheqësve të pushtetit komunal ka folur gjerësisht për problemet me të cilat ballafaqohet Kosova në rrugën e mëvetësisë dhe të bashkëpunimit me bashkësinë ndërkombëtare dhe reprezentët e saj në Kosovë. Kosova e përfaqëson veten si entitet dhe si territor, ka theksuar Daci, i cili është angazhuar për më shumë kompetenca dhe përgjegjësi për institucionet e vendit. Ai është shprehur se institucionet e Kosovës janë konsistente dhe unike në projektin për Kosovën dhe ka deklaruar se për Kosovën duhet zgjidhje origjinale dhe jo modele të sprovuara në rajon. Në këtë kontekst ai është shprehur se UNMIK-u nuk ka strategji dalëse për Kosovën, por se duhet ndihmuar që administrata ndërkombëtare ta përfundojë me sukses misionin në Kosovë dhe roli i saj i mëtutjeshëm të konsistojë në ndihmë kshillëdhënëse për institucionet e vendit. Për OSBE-në, ndërkaq, Daci ka kërkuar që ta luajë të njëjtin rol si në vendet tjera, kurse sa i përket KFOR-it është shprehur se duhet të vazhdojë misioni i sukseshëm i tij për raujtjen e paqes dhe të kufinjve të Kosovës, si dhe ta mbështesë forcën e sigurisë së vendit. Jemi të vendosur për një shtet demokratik, të përgjegjshëm ndaj qytetarëve tanë dhe bashkësisë ndërkombëtare, e cila me ndërhyrjen e NATo-s e ka penguar gjenocidin ndaj popullit tonë. Lidhur me organizimin më të mirë të pushtetit lokal, Daci është shprehur në favor të organizimit të qendrave të mëdha si qytete me më shumë komuna, varësisht nga fuqia ekonomike për ta mbajtur byrokracinë e administratës. Kryetarët e asambleve komunale që e morën fjalën në këtë takim janë pajtuar që të ndryshojë roli i UNMIK-ut në Kosovë dhe e kanë theksuar faktin që kompetrencat e tyre janë ngushtuar në raport me rregulloren për pushtetin lokal 2045.Ata madje kanë deklaruar se mohimi i pronësisë së tokës komunale e pengon zhvillimin e komunave, kurse janë ankuar edhe për proceduarat e ngatërruara të realizimit të projekteve zhvillimore. Udhëheqësit komunalë kanë theksuar komunikimin e pamjaftueshëm me institucionet qendrore, sidomos me ministrat e resorëve dhe kanë shprehur pakënaqësi për Projektligjin e pushtetit lokal, të cilin e kanë velrësuar “ as mish as peshk”. Të gjithë ata, ndërkaq i kanë vlerësuar të domosdoshme reformat e pushtetit komunal dhe decentalizimin, por janë shprehur kundër kantonizimit dhe territorializimit mbi baza etnike.