Lajmet e fundit
Në Kuvendin e Kosovës u promovua “Doracaku për dëgjimin publik”
, 26.05.2004
Instituti Demokratik Kombëtar (NDI) dhe OSBE, sot kanë promovuar “Doracakun për dëgjim publik”, i cili do të shërbejë për nevojat e deputetëve dhe të stafit të Kuvendit të Kosovës. Lidhur me këtë publikim, drejtori i programit parlamentar të NDI-së, Patrick Cadle është shprehur se dëgjimet publike janë mekanizma të rëndësishëm për mbledhjen e informacionit, të cilin komisionet parlamentare e përdorin gjatë analizimit të politikave, si dhe me qëllim të mbikëqyrjes së Qeverisë. Dëgjimet publike japin mundësi që përfaqësuesit e bizneseve, të sindikatave, të organizatave joqeveritare dhe të gjithë qytetarëve, të cilët ndikohen nga çështja në diskutim, të shprehin mendimet dhe vërerjtjet e tyre gjatë procesit të bërjes së ligjeve, që është çështje parësore për hartimin e ligjeve që reflektojnë nevojat dhe shqetësimet e qytetarëve. Kordinatori i iniciativës për Përkrahjen e Kuvendit ( ASI) nga OSBE, Franklin De Vrieze ka theksuar se dëgjimet publike e bëjnë Kuvendin një vend të debatit demokratik dhe pluralist. Ai është shprehur i bindur se përvojat dhe njohuritë e ekspertëve ndërkombëtarë, të përmbledhura në këtë doracak, do t’i ndihmojnë Kuvendit në punën e tij në të ardhmen. Në konferencën e shtypit, lidhur me këtë publikim, ka marrë pjesë edhe deputetja Edita Tahiri, e cila ka vlerësuar se ky doracak do t’ ndihmojë shumë komisionet parlamentare për të animuar ministritë dhe ekspertët e lëmenjeve në sensin e ligjeve të mira. Drejtori i Departamentit ligjor të Kuvendit, Daut Beqiri, ndërkaq, ka lavdëruar punën e bërë dhe ka falënderuar NDI-në për hartimin e “Doracakut për dëgjim publik” dhe mbështetësit e këtij projekti: USAID-in dhe OSBE-në.