Lajmet e fundit

Fatmir Sejdiu priti ambasadorin e Moldavisë, Vasile Sturza

, 26.05.2004




Anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu priti sot ambasadorin e Moldavisë në Sofje, Vasile Sturza,i cili mbulon edhe Tiranën,Shkupin dhe Beogradin.Në qendër të vëmendjes së takimit ishte struktura e Parlamentit të Kosovës, legjislacioni si dhe problemet aktuale me të cilat ballafaqohet Parlamenti dhe përgjithësisht Kosova.Duke folur rreth këtyre çështjeve, Fatmir Sejdiu theksoi se Parlamenti i Kosovës ka një strukturë plurale, në përbërje të së cilës bëjnë pjesë 14 parti politike.Nga 120 deputetë, sa ka Parlamenti, rreth 30 për qind e tyre janë nga minoritarët, megjithëse në Kosovë 90 për qind e popullsisë janë shqiptarë.Të gjitha partitë politike, pos atyre serbe, mbështesin pavarësinë e Kosovës. Me grupet minoritare nuk kemi probleme, nuk kemi konflikt as me serbët, ne dëshirojmë që ata të integrohen në të gjitha segmentet , mirëpo deputetët serbë qe dy muaj bojkotojnë punën e Parlamentit, duke gjetur pretekste te ndryshme. Jemi të interesuar, theksoi në vijim Sejdiu, që barrën e demokracisë dhe të ndërtimit të së ardhmes së Kosovës ta mbajmë së bashku, për të ecur drejt një Kosove të lirë e demokratike, si faktor stabiliteti në rajon.Megjithëkëtë, deputetët serbë nuk e përkrahin gati asnjë ligj që aprovohet në Parlament, madje as ligjin kundër diskriminimit. Në fushën e hartimit të ligjeve kemi bashkëpunim mjaft të mirë me bashkësinë ndërkombëtare, të prirë edhe nga dëshira që ato të jenë në harmoni me ligjet evroperëndimore .Ne nuk jemi në konflikt me UNMIK-un, siç dëshiron ta pasqyrojë këtë dikush.Moskuptimet po ndodhin kur kërkohen më shumë kompetenca për institucionet vendëse.Brengos edhe fakti që ligjet e aprovuara në Kuvend me vonesë të madhe nënshkruhen nga PSSP-ja. Gjatë takimit, Sturza e Sejdiu shprehën gatishmëri për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës e Moldavisë.