Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Daci takoi deputetët e grupit parlamentar “Të tjerët”
, 02.06.2004
Deputët e Kuvendit të Kosovës nga grupi parlamentar “Të tjerët”, që tubon përfaqësuesit e minoriteteve joshqiptare dhe joserbe, janë takuar sot me kryeparlamentarin Daci dhe kanë biseduar për vështirësitë me të cilat ballafaqohet eloktorati i tyre dhe për propozimet e paraqituara nga Grupi punues për ndryshimin e Kornizës Kushtetuese të Kosovës. Ata janë shprehur se përfaqësimi i minoriteteve në Kuvendin e Kosovës është i kënaqshëm dhe se ato tregojnë vullnet të integrohen në shoqërinë kosovare dhe t’i shërbejnë zhvillimit gjithpërfëshirës të Kosovës. Deputetët, ndërkaq, duke e mbështetur nismën për ndryshimet e Kornizës Kushtetuese, janë shprehur se vlerësojnë që të drejtat dhe liritë e minoriteteve të garantohen me kushtetutë dhe jo me ndonjë ligj të veçantë, siç propozon Grupi punues. Ata, gati pa përjashtim, kanë kërkuar që të mbeten vendet e rezervuara të deputetëve për minoritetet, duke arsyetuar këtë edhe me zhvendosjen nga Kosova të një pjese të madhe të qytetarëve të këtyre bashkësive etnike. Kryeparlamentari, Nexhat Daci, ka shprehur mirëkuptim për shqetësimet dhe problemet që kanë ngre deputetët e grupit parlamentar “Të tjerët” dhe ka premtuar që do të bisedojë me kryesuesin e Grupit punues që gjatë ndryshimeve kushtetuese të mos cenohen të drejtat dhe liritë e minoriteteve. Daci është shprehur se, pa rritjen e kapacitetit qeverisëse dhe kushtetues të Kosovës, nuk mund të sigurohet realizim solid i të drejtave dhe i lirive të minoriteteve. Ai, ndërkaq, i ka porositur deputetët që t’i përfaqësojnë denjësisht interesat e zgjedhësve të tyre, sepse vetëm ashtu mund t’u sherbejnë atyre dhe Kosovës. Pasi ka dëgjuar problemet e qytetarëve të minoriteteve, posaçërisht informacionin e pamjaftueshëm për zhvillimet në Kosovë, për shkak të mosmbulimit të hapësitrës me sinjalin televiziv të televizioneve të Kosovës me shtrirje kombëtare, profesor Daci ka mbështetur premtimet e kryeministrit Rexhepi gjatë vizitës në Gorë dhe Zhupë për shikueshmëri televizive, sepse, tek e fundit, është shprehur ai, qytetarët paguajn kontribute dhe gëzojnë të drejtën për t’u informuar. Duke folur për problemin e mprehtë të uzurpimit të pronave të minoritarëve nga qytetarë të pandërgjegjshëm, Daci është shprehur se prona është e shenjtë për çdo sistem, prandaj çështja patjetër se do të zgjidhet drejt për pronarët, ka konstatuar kreu i legjislativit.