Lajmet e fundit

Daci priti udhëheqësit komunal të Luginës së Preshevës

, 03.06.2004




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot kryetarin e Komunës së Preshevës, Riza Halimi, atë të Bujanocit, Nagip Arifi dhe nënkryetarin e Komunës së Medvegjës, Xhemë Osmani, për të biseduar me ta për problemet me të cilat ballafaqohen udhëheqjet komunale dhe popullata e Luginës së Preshevës. Udhëheqësit komunal e kanë njoftuar profesor Dacin se nuk po përmbushet marrëveshja për Luginën e Preshevës dhe kanë theksuar se investimet e parapara, sidomos ato për komunën e Bujanocit, bëhen kryesisht në fshatrat serbe. Ata, ndërkaq, ndër problemet e mprehta që e preokupojnë popullaten e atjeshme, kanë përmendur çështjen e arsimit të lartë dhe kujdesin e pamjaftueshëm shëndetësor. Mu për këtë kanë kërkuar mbështje për këta lëmenj të rëndësishëm të jetës, sidomos kanë theksuar nevojën e përcaktimit të kuotave për pranimin e studentëve nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja në Universitetin e Prishtinës. Kryeparlamentari Daci, e ka vlerësuar shumë të rëndësishëm informimin e drejtëpërdrejtë dhe burimor për zhvillimet në Luginën e Preshevës dhe konsultimet e nevojsme në funksion të përballimit të gjendjes. Ai, ndërkaq, ka theksuar se vendimet meritore i merr udhëheqja e Luginës së Preshevës dhe se institucioni të cilin e udhëheq, dhe ai përsonalisht, i përkrahin veprimet legale institucionale.
Daci, pasi e ka vlerësuar shumë të arsyeshme kërkesën e udhëheqësve komunal të Luginës së Preshevës për hapjen e pikave të reja kufitare me Kosovën, sidomos ndërmjet Medvegjës dhe Dardanës, ka premtuar se do të angazhohet tek mekanizmat kompetent që kjo edhe të realizohet. Ai, ndërkaq, iu ka sugjeruar atyre që në funksion të mbarëvajtjes së punëve në komunat e tyre, të tregojnë sensin e duhur edhe për grupimet e vogla politike.