Lajmet e fundit

U hap Terminali Doganor në pikën kufitare Dheu i Bardhë të Komunës së Dardanës

, 04.06.2004




Në pikën kufitare Dheu i Bardhë të Komunës së Dardanës, sot, u hap Terminali Doganor, ndërtimi i të cilit ka kushtuar mbi 1,5 milion euro. Në këtë solemnitet ishin të pranishëm kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, ministri i Tregtisë dhe Industrisë Ali Jakupi, kryetari i Kuvendit Komunal të Dardanës, Shaip Surdulli, administratori ndërkombëtar në këtë komunë, Muhamed Zijah, kryetari i Kuvendit Komunal të Preshevës, Riza Halimi, pjesëtarë të KFOR-it Amerikan, pjesëtarë të TMK-se dhe të SHPK-së.
Në fjalët e tyre kryeparlamentari dhe kryeministri përgëzuan punonjësit e këtushëm dhe qytetarët e kësaj ane për këtë objekt impozant. Kryeparlamentari Nexhat Daci, theksoi se pjesëmarrja ime dhe e kryeministrit në këtë solemnitet dëshmon përcaktimin jetësor të institucioneve të Kosovës që qytetarëve tanë t’ iu hapim rrugën dhe frymëmarrjen. Kjo është një përkrahje e fuqishme jona për biznesin e Kosovës dhe një mesazh i qartë politik se Kosova është e përgatitur për t’ i hapur dyert e veta të qarkullimit të biznesit, njerëzve dhe kapitalit. Njëhërit kjo do të thotë se Kosova është e përcaktuar me tërë kapacitetin e saj për t’ i mbyllur kufijtë për depërtimin e kriminelëve të cilësdo ngjyrë qofshin ata.
Pasi shprehu kënaqësinë për inaugurimin e këtij objekti, kryeministri Bajram Rexhepi tha se jemi të përkushtuar që të përkrahim edhe iniciativën private, siç është pikërisht ky terminal, i cili do të jetë shembulli më i mirë për iniciativa të tjera. Ky terminal mund të shërbejë si mostër edhe për pikat tjera doganore dhe presim, me të drejtë, që të kemi sa më shumë pika doganore me të gjithë fqinjët në rajon për të penguar edhe kontrabandën, jemi pra përkrahës të sa më shumë pikave kufitare legale, pohoi Bajram Rexhepi. Për të pranishmit në fund u dha edhe një program kulturor.