Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Nexhat Daci, vizitoi Universitetin Amerikan të Kosovës

, 11.06.2004




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, vizitoi sot Universitetin Amerikan të Kosovës, në Prishtinë. Gjatë kësaj vizite kryeparlamentari Daci, pas pritjes që iu organizua nga udhëheqja e këtij institucioni, prirë nga drejtori, Robert F. Curis, para studentëve mbajti një ligjëratë në temën “Kosova, resurset zhvillimore dhe parlamentarizmi i saj”.
Në qendër të vëmendjes së fjalës së profesor Nexhat Dacit ishin struktura e Parlamentit të Kosovës, puna në aprovimin e ligjeve, marrëdhëniet e institucioneve të Kosovës me UNMIK-un, si dhe resurset që i ka Kosova, si mundësi reale për një zhvillim stabil ekonomik e shoqëror.
Kosova, theksoi kryeparlamentari Daci ka mundësi ta mbajë vetveten, megjithatë aktualisht vendi po ballafaqohet me vështirësi të shumta ekonomike. Kjo jo vetëm që bie ndesh me resurset e bollshme që kemi, por edhe me kuadrot e shumta që ka Kosova në të gjithë lëmenjtë, duke ditur se Kosova qysh moti krijoi një traditë të shkollimit e formimit të kuadrove të mirëfillta arsimore e shkencore. Ngecjet në zhvillim janë pasojë e faktit që institucionet e Kosovës nuk kanë kompetenca. Ne nuk kërkojmë tjetër, pos përgjegjësi e kompetenca dhe mbi bazën e përgjegjësive dhe obligimeve që marrim do të realizojmë edhe të drejtat tona.
Kosova do të ketë pikësynim edhe realizimin e standardeve, megjithëse shumica e vendeve që veprojnë në kuadër të UNMIK-ut nuk i kanë ato. Megjithëkëtë, institucionet kosovare do të punojnë për sëndertimin e tyre, të atyre që janë në kompetencë të institucioneve tona. Kryeparlamentari Daci me këtë rast u përgjigj edhe në disa pyetje të studentëve.