Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Daci priti kryetarin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Ylli Popa

, 15.06.2004




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, priti sot në një takim, kryetarin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Ylli Popa, i cili ishte i shoqëruar edhe nga kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademik Rexhep Ismajli. Në qendër të vëmendjes së këtij takimi ishin çështjet e bashkëpunimit ndërmjet akademive, pozita shoqërore dhe materiale e tyre, si dhe funksioni i tyre në zhvillimet e gjithëmbarshme. Profesor Daci theksoi se është i pakënaqur me gjendjen materiale në të cilën gjendet Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, e cila nuk ka përkrahje të duhur morale dhe materiale. Nuk mund të pajtohemi, tha ai, që ende nuk e kemi Ligjin për Shkencën, si bazë e zhvillimit më të hovshëm të shkencës dhe institucioneve shkencore përgjithësisht në Kosovë.Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Ylli Popa tha se edhe shkenca në Shqipëri ballafaqohet me këto probleme. Ndërkaq, duke folur për projektet aktuale me të cilat merret kjo Akademi, ai theksoi se Qeveria e Shqipërisë përkrah projektete këtij institucioni më të lartë të shkencës. Bashkëbiseduesit ishin unanim në konstatimin se bashkëpunimi ndërmjet akademive të Shqipërisë dhe Kosovës është mjaft i frytshëm, me një perspektivë mjaft të mirë të thellimit të mëtejmë në të gjithë lëmenjtë e shkencës.