Lajmet e fundit

Parlamentaret e Shqipërisë u pritën në Kuvendin e Kosovës

, 24.06.2004




Në kuadër të bashkëpunimit ndërparlamentar Kosovë-Shqipëri, sot anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Hydajet Hyseni, ka pritur një delergacion të deputeteve, të kryesuar nga Magbule Çeço, zëvendëskryetare e Kuvendit të Shqipërisë.
Hyseni i ka njoftuar parlamentaret shqiptare me zhvillimet në Kosovë dhe aktivitetet e Kuvendit për miratimin e legjislacionit, si kusht shumë i rëndësishëm për ecjen përpara të vendit dhe vendosjen e statusit, konform vullnetit të qytetarëve. Ai e ka vlerësuar shumë të rëndësishëm bashkëpunimin ndërmjet të parlamenteve të dy vendeve dhe zhvillimet demokratike në funksion të paqes, stabilitetit dhe integrimit.
Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Magbule Çeço dhe deputetet Arta Dade, Edita Tepelena e Valentina Leskaj, kanë konstatuar me kënaqësi zhvillimet pozitive në Kosovë dhe intensitetin e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Ato kanë kanë shprehur angazhimin e Shqipërisë për intergimin e vendit në strukturat evropiane dhe evro-atlantike. Parlamentaret shqiptare, ndërkaq, kanë vënë theksin në përvojat parlamentare të Shqipërisë dhe gatishmërinë për ta ndihmuar legjislativin e Kosovës në procedurat e miratimit të ligjeve dhe organizimin e debateve parlamentare. Deputetet shqiptare kanë vlerësuar kuotën e lartë të grave në Kuvendin e Kosovës, por kanë theksuar se parlamentaret e Kosovës duhet të jenë më aktive dhe më të dukshme në skenën politike të Kosovës. Ato janë shprehur qartë se faktorizimi i gruas në procesin e vendimarrjes politike do të jetë shumë i rëndësishëm për emancipimin politik të Kosovës dhe në instancë të fundit edhe për përcaktimin e statusit të Kosovës.