Lajmet e fundit

Vizita e Kryeparlamentarit të Kosovës, Nexhat Daci në SHBA

, 24.06.2004




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci nesër përfundon vizitën disaditëshe në SHBA. Gjatë kësaj vizite kryeparlamentari i Kosovës pati takime në Stejtdepartmentin, Kongresin dhe Senatin e SHBA-ve, e gjithashtu mbajti një ligjeratë në qendrën ndërkombëtare “Vudrov Vilson” si dhe pati një tryezë të rrumbullakët në Stejtdepartment.
Çështjet që Kryetari i Kuvendit të Kosovës i shtroi me zyrtarët e SHBA-ve kishin të bëjnë me ndërtimin e një strategjie dalëse të UNMIK-ut, pastaj ndërtimi i kapaciteteve të plota qeverisëse të Kosovës, si dhe reforma e pushtetit lokal në Kosovë.
Nexhat Daci theksoi se UNMIK-u ishte i suksesshëm në periudhën trevjeçare, ai arriti rezultate shumë të mira në rindërtim dhe në krijimin e strukturave qeverisëse, porse tash është bërë i panevojshëm dhe struktura e tij nuk mund t’i çojë proceset përpara, prandaj duhet të bëhen ndryshime, duke ndërruar mandatin e tij dhe duke u hequr nga nivelet lokale, ndërsa në nivel të Kosovës të ketë mision këshillëdhënës dhe në disa segmente mbikëqyrës, kur është fjala për respektimin e konventave ndërkombëtare dhe aplikimin e ligjit.
Kryeparlamentari i Kosovës theksoi se nuk duhet humbur storja më e suksesshme e interevenimeve ndërkombëtare, e bërë pas Luftës së Dytë Botërore, ajo duhet të përmbyllet me sukses duke e marrë përgjegjësinë vetë kosovarët për të ardhmen dhe duke u bërë Kosova vend demokratik i integruar në Evropë dhe në miqësi e në prezencë të përhershme të SHBA-ve në Kosovë, ndaj së cilës populli i Kosovës ka falendërimet më të thella.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës kërkoi marrjen e të gjitha përgjegjësive nga strukturat e zgjedhura të Kosovës, ndërtimin e të gjitha kapaciteteve qeverisëse, kompletimin me të gjitha ministritë përveç asaj të mbrojtjes, duke theksuar se NATO-ja duhet të jetë përherë prezente në Kosovë, edhe si simbolikë edhe si nevojë për stabilitetin e rajonit.
Nexhat Daci në SHBA paraqiti edhe një propozim bazë për strukturimin e pushtetit lokal në Kosovë, duke propozuar krijimin e komunave të reja të Kosovës sipas parimit teritorial dhe të strukturës së popullsisë, duke theksuar se kjo zgjidhje do të ishte në harmoni me kohën, me kërkesat e qytetarëve për shërbime më të mira dhe për plotësim të nevojave dhe kërkesave të qeverisjes lokale. Kryeparlamentari Daci kërkoi ndihmën në forcimin e Shërbimit policor të Kosovës, në ndërtimin e të gjitha strukturave të këtij shërbimi, që do të ishte i aftë të sigurojë qetësinë për të gjithë qytetarët, që do të kontrollonte me sukses kufinjtë e Kosovës si dhe do të ishte i aftë të luftojë, por edhe të parandalojë krimin e organizuar, si dhe tendencat terroriste ndaj Kosovës.
Të gjitha takimet ishin shumë konkrete, me prezentim të faktografisë dhe të argumenteve, se kosovarët dinë dhe mund ta qeverisin plotësisht vendin, në kuadër të Evropës, duke respektuar dhe aplikuar standardet demokratike të repektimit të drejtave dhe lirive të qytetarëve pa dallim dhe duke respektuar edhe të drejtat dhe liritë etnike, si dhe veçoritë e tjera të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, u shpreh se në SHBA ka ardhur të shprehë falënderimet për ndihmën e deritashme vendimtare për popullin dhe fatin e Kosovës, ka ardhur të informojë për rrjedhat dhe gjendjen aktuale, ka ardhur të prezentojë synimet dhe të ofrojë argumente për vizionin dhe strategjinë e udhëheqjes kosovare, duke kërkuar ndihmën e mëtutjeshme në përfundimin e proceseve të nisura në Kosovë, që kanë të bëjnë me ndërtiminin e kapaciteteve të plota qeverisëse dhe me marrjen e përgjegjësive dhe obligimeve të plota nga institucionet e zgjedhura demokratike të Kosovës.
Në të gjitha takimet Kryetari i Kuvendit të Kosovës u prit me mirëkuptim, me respekt për institucionin që e prezenton dhe për vizionet dhe strategjinë për të ardhmen, që edhe në formë të shkruar dhe me kërkesa konkrete i paraqiti përpara zyrtarëve të SHBA-ve, duke u kërkuar një partneritet dhe bashkëpunim të plotë në gjetjen e zgjidhjeve më efikase, më të qëndrueshme dhe më të mira që misioni ndërkombëtar të përmbyllet me sukses në Kosovë.
Kryeparlamentari Daci theksoi se pavarsia e Kosovës nuk ka alternativë, pasi kjo stabilizon rajonin dhe shpreh zgjidhjen e vetme të drejtë. Pavarësia duhet të arrihet, jo vetëm si synim i kosovarëve, por edhe si bindje dhe synim i miqëve tanë ndërkombëtarë dhe duhet të bëhet në bashkëpunim të plotë dhe partneritet, që do të siguronte edhe garancitë e nevojshme se Kosova do të ishte stabile dhe demokratike dhe se do të kishte garanci të forta për respektim të ligjit dhe të standardeve demokratike të qeverisjes, si dhe respektim të të drejtave të të gjitha grupeve etnike që janë qytetarë të barabartë të Kosovës.