Lajmet e fundit

Reforma e ndarjes administrative të Kosovës dhe reforma e pushtetit lokal në Kosovë

, 28.06.2004




Kuvendi i Kosovës Zyra e Kryetarit të Kuvendit Akademik Nexhat DACI

Propozimi bazë :

Reforma e ndarjes administrative të Kosovës dhe reforma e pushtetit lokal në Kosovë.

Qëllimet dhe arsyetimet:

Ndarja e tashme territorialo-administrative e Kosovës është e tejkaluar. Në vitet e tetëdhjeta të shekullit njëzet, ishin krijuar disa komuna të reja, duke u bërë kështu gjithësejt 31 komuna, më vonë ishin krijuar edhe pesë rrethe administrative.
Kjo strukturë sot nuk i përgjigjet Kosovës, nga fakti se janë krijuar rrethana të reja dhe nga fakti se edhe atëherë ndarja nuk ishte bërë sipas kritereve fiziko-gjeografike të terrenit dhe sipas kritereve të numrit të banorëve, përkatësisht popullsisë e cila në komunën e caktuar dëshiron t’i përmbushë nevojat, të kryejë shërbimet, si dhe të bëjë qeverisjen në nivelin lokal.
Sistemi i vjetër nuk ka mundur t’i përcjellë në masën e duhur standardet evropiane në këtë lëmë, si dhe nuk i janë krijuar kushte edhe nga rregullativa ligjore. Për këtë, synohet që me ndarjen e re administrativo-teritoriale të përmbushen kërkesat e qytetarëve, të bëhet ndarje e drejtë që do t’i përshtatet situatës në terren dhe që kjo të bëhet pikërisht me deklarimin vullnetar nëpërmjet institucioneve nga vetë qytetarët e vendbanimit konkret, të fshatit, të bashkësisë lokale apo të lagjes.
Pas ndarjes së re territoriale do të barteshin, përkatësisht përmes ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Kosovës do të përcaktohej niveli i pushtetit, përgjegjësitë dhe obligimet, si dhe i punëve e shërbimeve që kryhen në nivelin komunal, si dhe struktura dhe zgjedhja e organeve të pushtetit.

Ideja:

Duke pasur parasyshë që territori i Kosovës është 10.880 kilometra katrorë dhe që numri i banorëve është rreth 2.4 milionë banorë, dhe duke pasur parasyshë rrethanat fiziko-gjeografike të terrenit, të shtrirjes fushore dhe kodrinore, si dhe dendësinë e banorëve për kilometër katror, propozojmë që Kosova të ketë dy nivele të ndarjes administrativo-territoriale dhe të pushtetit lokal si një tërësi:

1. Komuna

2. Qyteti

KOMUNA- Planifikohet që Kosova të ketë rreth shtatëdhjetë komuna si njësi administrative-territoriale. Secila komunë do të kishte nga 70-100 kilometra katrorë, varësisht prej propozimeve të qytetarëve të Kosovës, sa komuna krijohen në gjithë Kosovën, sepse duhet të mblidhen propozimet e jo të krijohen imponime nga qendra, dhe varësisht prej terrenit a është fushor apo kodrinoro-malor. Për shembull, komuna në Rrafshin e Kosovës, apo komuna në rajonin e Gorës, Opojës, të Rugovës, apo të Shalës... do të dallonin ndërmjet vedi për nga territori dhe popullsia. Kriter duhet të jetë, që territori i komunave të mos jetë më i madh se NJË me DY, që të mos krijojmë komuna gjigante që do t’i ngjanin Rajonit apo Rrethit, por as komuna gjugje që do t’ i ngjanin bashkësisë lokale apo fshatit. Madhësia ndërmjet komunave nuk duhet të jetë e dallueshme, edhe nga fakti se kompetencat, dhe detyrat e përgjegjësitë që komuna si njësi territoriale, administrative dhe të themi edhe politike, duhet t’ i ketë të njëjta, dhe të rregulluara me Ligj.
Duhet të llogaritetet largësia e përafërt e venbanimeve prej qendrës komunale që kjo të jetë mesatarisht prej PESË deri në SHTATË kilometra në vijë të drejtë, që të vendosen kritere pak a shumë të barabarta të banorëve, në plotësimin e nevojave të pushtetit, të administratës, të shkollimit, të shëndetësisë, të shërbimeve postare, të shërbimeve komunale, publike, zjarrëfikësve etj.

QYTETI- Kosova duhet ti ketë shtatë qytete, që janë Prishtina, Gjilani, Ferizaj, Mitrovica, Prizreni, Peja dhe Gjakova. Këto janë edhe qendra më të mëdha urbane, me dendësi të madhe, karakteristikë për qytetet me koncentrim të madh të banorëve në një hapësirë të vogël. Duhet të përcaktohet qartë dhe në mënyrë të vullnetshme nga banorët, territori i qytetit. Ky territor mandej të ndahet në komuna, duke i marrë për bazë kriteret e caktuara, të numrit të popullsisë, të shtrirjes territoriale, të ndërtimit të infrastrukturës, rrugëve, objekteve publike, shkollave, ambulancave, postës etj. dhe këto komuna të lidhen në Bashkinë e Qytetit.
Komunat e qytetit, duhet të mos e kenë strukturën pushtetore të komunave rurale, sepse as që kanë nevojë për këtë, por të jenë të lidhura në Asamblenë e Bashkisë së Qytetit që bën edhe planifikimin për gjithë hapësirën e territorit të qytetit, normalisht sipas kërkesave dhe koordinimit të vetë komunave të qytetit dhe sipas nevojave dhe prioriteteve të përcaktuara.

Bartja e Pushtetit

Pas ndarjes administrativo-territoriale të Kosovës, që do të bëhet me Ligj të miratuar në Kuvendin e Kosovës, pas përcaktimit të territorit të komunave rurale dhe të qyteteve, atëherë bartet pushteti, përkatësisht përcaktohet niveli i pushtetit që në mënyrë autonome realizohet nëpër komuna.
Kjo, ashtu si edhe në çdo vend tjetër, bëhet pas përcaktimit të pushtetit qendror, të karakterit të pushtetit në nivel të Kosovës, sepse tërësia teritoriale, administrative dhe politike e Kosovës krijon parakushtet dhe e bën të mundshme ndarjen e bartjen e pushtetit në nivel lokal të komunave.
Kjo Rregullohet përmes Ligjit të Veçantë për Pushtetin Lokal, përkatësisht të Komunave, ku parashihen funksionet konkretisht dhe funksionimi i ministrive dhe i shërbimeve të organizuara në kuadër të ministrisë përkatëse, cila pjesë është në nivel të Kosovës, cila në nivel komunal dhe si koordinohen dhe cilat janë përgjgjegjësitë e komunës dhe të Kosovës. Komunat do të kenë asambletë dhe qeveritë e veta të zgjedhura sipas parimit, një qytetar- një votë, por që detyrimisht përmes mekanizmave të caktuar edhe në Kuvend edhe në Qeveri duhet të jetë i garantuar përfaqësimi i gjithë asaj strukture që i karakterizon banorët lokal duke përfshirë, përfaqësimin, politik, gjinor, etnik, fetar etj.
Komuna do t’i kryejë të gjitha punët në teritorin e saj që kryhen në nivel të Kosovës, duke përfshirë administratën, gjyqësinë, policinë, shëndetësinë, të gjitha shërbimet komunale, rrugët, kanalizimin, postën , në nivel të përgjegjësive dhe detyrave që i ka komuna dhe që parashihen në ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës.
Komunat, varësisht prej numrit të banorëve e interesave, do të përcaktojnë përdorimin e barabartë të gjuhëve e shkrimit në nivel lokal, ndërsa përmes përkthimit dhe në komunikimin me instancat pushtetore, secili qytetar e ruan të drejtën që t’u drejtohet organeve në gjuhën e vet, e të marrë përgjigje poashtu në gjuhën e vet.
Varësisht prej mjeteve të angazhuara materiale dhe mundësive edhe kuadrovike e potencialeve të tjera, në komuna do të kryhen dhe administrohen shërbimet e caktuara, për shembull në ndërtimin e rrugëve të qendrës komunale dhe të fshatrave, pra të gjitha rrugët e kategorisë së dytë e më poshtë, pastaj kanalizimi, ujësjellsi, pastrimi, mandej shërbimet shëndetësore, në nivel të shtëpisë së shëndetit, të ambullancave, të postës etj. Kuptohet rrugët magjistrale, sistemi I gjyqësisë, i policisë, sistemi arsimor, sistemi shëndetësor... mandej të gjitha shërbimet e tjera, postare të energjisë elektrike, do të rregullohen sipas planifikimit në nivel qendror nga minstritë përkatëse, në bashkëpunim me strukturat komunale, duke i shfrytëzuar mundësit që ato i kanë, si në kuadër ashtu edhe në resurset e tjera.

Çka synohet

Kosova ta ketë sistem funksional të qeverisjes dhe qytetarët e saj më lehtë dhe sipas interesave të tyre të i realizojnë synimet dhe dëshirat dhe nevojat, si qytetarë në gjithë gamën e vet, edhe si qytetar i Kosovës, edhe si qytetar i regjionit, krahinës, vendbanimit, por edhe si qytetar i përkatësisë së caktuar etnike, fetare politike.
Me vetëm një nivel të organizimit administrativ, politik, atë të komunave qytetari i Kosovës pa tensione do t’i realizonte të gjitha kërkesat dhe nevojat e veta, të gjitha përgjegjësitë dhe obligimet që i ka, ndaj vetes, ndaj familjes, ndaj lagjes, fshatit, komunës, ndaj Kosovës, si dhe ndaj përkatësisë etnike dhe fetare të tij.
Të gjitha këto do t’i realizonte vetëvetiu, pa pasur nevojë për tensione e marrëveshje politike, për koncenzus, dhe për arbitrazh të institucioneve ndërkombëtare.
Kosova do të funksiononte si entitet qytetar duke i respektuar dhe duke i mbrojtur edhe veçoritë etnike dhe krahinore të qytetarëve të saj.
Do t’i ikej interesit nacional si pikënisje të organizimit të komunave, dhe si pikënisje për ndarjen e pushtetit lokal. Do t’i ikej krijimit të rajoneve e kantoneve “si mbrojtëse e garantuese” të etnive të caktuara, dhe si burim të kontradiktave me pushtetin qendror të Kosovës, dhe si gjendje faktike për ndarje teritoriale në vija etnike dhe si ndarje në momentin e vendosjes së statusit përfundimtar të Kosovës, nën formën “qytetari plus territori”, dhe bashkimit me shtetet e tjera...
Me organizimin komunal korpusi i realizimit të të drejtave qytetare është plotësisht i përmbushur dhe në këtë kuadër realizimi i të drejtave etnike, në përdorim të gjuhës, në shkollim, në punësim nuk do të shihej si kundërshti, por si realizim i të drejtave të banoreve lokal të komunës, si pranim i një realiteti ekzistues dhe rrespektues.

Disa shembuj

Komuna e Hanit të Elezit, skaji më jugor i Kosovës, ku qytetarët e vendbanimit të Hanit të Elezit dhe fshatrat në të dy anët e Grykës së Kaçanikut do t’i realizonin të gjitha synimet e veta si qytetar të Kosovës dhe si banorë lokal. Ky vendbanim sot nën Komunën e Kaçanikut është i ndarë nga Kaçaniku përmes Grykës shtatë kilometërshe të gjatë, shumë jopraktike dhe të pabanuar, për t’i realizuar interesat dhe obligimet në Kaçanik si qendër komunale. Në Komunën e re banorët do t’i kryenin më lehtë të gjitha shërbimet komunale, do të shfrytëzonin infrastrukturën komunale ekonomike, edhe pikën doganore kufitare edhe Fabrikën e Çimentos , me punësim dhe plotësim të nevojave nga banorët lokal, që edhe jetojnë dhe banojnë aty. Gjithashtu edhe infrastruktura e fshatrave dhe interesat zhvillimore për blegtori në masivin malor të Sharrit dhe të Karadakut do të evidencoheshin e zhvilloheshin më lehtë, dhe do të gjendeshin investitor.

Komuna e Zaskokut do të përfshinte fshatin Dubravë që jetojnë rreth dy mijë hashkallij, fshatrat Zaskok, Pleshinë, Doganaj, Burrnik ku jeton popullsia shqiptare. Është territor rrëzë Bjeshkëve të Sharrit, terren edhe fushor edhe malor që ka veçoritë e veta të jetesës dhe veçoritë e veta zhvillimore...

Komuna e Graçanicës, që ka strukturë etnike shumnicë serbe, që është komunë fushore, që grupon rreth vetes fshatra të tjera serbe si Prekocin, Çaglavicën Llapnasellën, por që mund të inkuadrojë edhe fshatrat shqiptare, Marecin apo Slivovën. Përmes interesave qytetare do të realizoheshin edhe interesat etnike, në përdorimin e gjuhës dhe shkrimit, në shkollim, në punësim etj.

Komuna e Mamushës në rajonin e Prizrenit e banuar në shumicën me banorë të nacionalitetit turk

Komuna e Zhurit në Prizren.

Komuna e Shalës në Bajgorë të Mitrovicës
Për të gjitha këto do të jepen karakteristikat fiziko-gjeografike, ekonomike, të pasurive e resurseve, karakteristika etnike të strukturës së popullsisë, si dhe përparësitë konkrete të ekzistimit si komunë dhe përparësitë zhvillimore.
Për të gjitha këto reforma kuptohet se nevojitet regjistrimi i popullsisë, për të pasur pasqyrën konkrete të numrit të banorëve dhe të strukturës së tyre, edhe etnike edhe gjinore, profesionale dhe tjetër, por ky nuk është parakusht sepse mund të mirren referencë regjistrimet e kaluara, e gjithashtu popullsia së bashku me territorin janë elemente të përbashkëta për ndarjen e re administrativo-teritoriale dhe për funksionimin e pushtetit lokal.
Gjithashtu konsiderohet se me kompjuterizimin e të dhënave, me ndarjen e re komunale në Kosovë nuk shtohet administrata, përkundrazi qytetari përmes kartës së identifikimit dhe kodit personal, mund t’ i nxjerrë të gjitha të dhënat dhe të gjithë formularët, për gjendjen civile, kadastare, për pagesën e obligimeve tatimore e të ngjashme. Në zyrat e komunës qytetari do të kishte punë vetëm në evidencim, apo vulosje e vërtetim të dokumenteve.

Qershor 2004

Vërejtje: Propozimi i kryetarit të Kuvendit të Kosovës për ndarjen administrative të Kosovës dhe reformën e pushtetit lokal në Kosovë u është shpërndarë sot zyrtarisht edhe partive parlamentare të Kosovës, Zyrave të vendeve të Kuintit, si dhe mediave.
Qëllimi i këtij projekti është që të nxitet debati për reformën në këto çështje dhe që për këtë ta thonë fjalën komunat dhe vetë qytetarët e Kosovës, të propozojnë dhe ofrojnë zgjidhjet më të përshtatëshme që janë në interes të tyre dhe në interes të mbarë Kosovës.