Lajmet e fundit
Komisioni parlamentar për bujqësi priti një delegacion qeveritar të Maqedonisë
, 01.07.2004
Një delegacion qeveritar i Maqedonisë, i kryesuar nga Besir Jashari, zëvendësministër i bujqësisë, në përbërëje të të cilit ishin edhe dr. Slobodan Cokolevski, drejtor i Shërbimit veterinar dhe dr.Avdylelez Dogani, shef i Inspekcionit kufitar dhe doganor, është pritur sot nga anëtarët e Komisionit parlamentar për bujqësi, pylltari dhe zhvillim rural të Kuvendit të Kosovës. Kryesuesi i komisionit, Tomë Hajdaraj, e ka njoftuar delegacionin nga Maqedonia me të arriturat dhe me problemet e agrarit në Kosovë dhe angazhimin e komisionit të cilin e udhëheq për zhvillimin e bujqësisë, si degë shumë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik të Kosovës. Në këtë frymë ai ka theksuar rëndësinë që ka bashkëpunimi ndërmjet të dy vendeve, komplementariteti i produkteve bujqësore dhe programet e përbashkëta. Hajdaraj ka përmendur edhe miratimin e shtatë ligjeve nga lëmi i agrarit dhe angazhimin për miratimin e legjislacionit të kësaj fushe, kompatibil me atë evroperëndimor. Anëtarët e komisionit, ndërkaq kanë shtruar edhe çështjen e forcimit të kontrollit veterinar dhe atij fitosanitar për produktet bujqësore që kalojnë kufirin, si dhe janë angazhuar për projekte të përbashkëta për eleminimin e sëmundjeve të bagëtisë. Në takim është theksuar fakti se tregu i Kosovës është shumë i hapur për prodhimet bujqësore të Maedonisë, por ende ka barriera për depërtimin e prodhimeve kosovare në tregun maqedonas. Zëvendësministri i bujqësisë, Besir Jashari, ka theksuar faktin se bujqësia në Republikën e Maqedonisë zhvillohet me ritme të shpejtuara dhe se një pjesë e mirë e buxhetit të shtetit derdhet për intensifikimin e bujqësisë. Ai e ka njoftuar Komisionin parlamentar për bujqësi, pylltari dhe zhvillim rural me punën që bën Qeveria dhe Parlamenti maqedonas për hartimin e legjislacionit dha afrimin e tij me atë të Unionit Evropian, si dhe për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Në takim është parë shumë e nevojshme nënshkrimi i marrëveshjes për tregti të lirë ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë.