Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Daci priti deputetin gjerman Stinner
, 05.07.2004
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot deputetin e Bundestagut gjerman, Dr. Rainer Stinner dhe ka biseduar me te për zhvillimet në Kosovës, problemet e statusit dhe rrugëzgjidhjen e problemeve të akumuluara. Kryeparlamentarti Daci është shprehur se pas sukseseve të fillimit, UNMIK-u nuk ka arritur të përmbushë misionin e tij dhe aktualisht duket qartas se administrata ndërkombëtare në Kosovë nuk ka as kapacitete, as strategji dalëse për problemet e grumbulluara. Vendi po ngec në zhvillim, kurse sa vijnë e shtohen pakënaqësitë e qytetarëve për shkak të pozitës së keqësuar ekonomike dhe sociale, ka theksuar Daci. Në anën tjetër, me këto kompetenca të kufizuara dhe me këtë mandat që ka udhëheqja e Kosovës, nuk kemi motiv të dalim në zgjedhje, ka konstatuar numri një i legjislativit të Kosovës. Deputeti gjerman, Rainer Stinner, i cili shoqërohej nga drejtori i fondacionit “Fridrich Nauman” është shprehur se vendi i tij paguan shuma të mëdha për funksionimin e UNMIK-ut në Kosovë, prandaj kërkon punë më të mirë të administratës ndërkombëtare. Duke folur për mundësitë e zgjidhjes së statusit të Kosovës, ai është shprehur se, as kantonizimi i Kosovës, as shpallja e njëanshme e pavarësisë nuk do ta zgjidhte problemin. Çështja e Kosovës duhet të zgjidhet nëpërmjet të një mandati evropian, është shprehur deputeti Stinner.