Lajmet e fundit

Komisioni parlamentar për transport dhe telekomunikacion

, 07.07.2004




Komisioni për transport dhe telekomunikacion i Kuvendit të Kosovës organizoi sot një dëgjim publik për të shqyrtuar procedurat e ndjekura dhe rregullsinë e tenderimit, gjegjësisht të përzgjedhjes së operatorit të dytë të telefonisë mobile në Kosovë. Në këtë dëgjim publik ishte ftuar që të prezantojë dhe të flasë Anton Berisha, kryetar i Bordit të ART-së. Në fillim të këtij shqyrtimi anëtarët e komisionit kishin pikëpamje të ndryshme rreth procedurës së organizimit të këtij dëgjimi publik.Disa anëtarë reaguan edhe në fjalën hyrëse të kryetares së komisionit, se a thua me disa konstatime mos po prejudikon çështjen për të cilën diskutohej.Ishte menduar që, në fillim, kryetari i Bordit të paraqesë një raport për tenderin, mirëpo Anton Berisha theksoi se Bordi i ART-së i përgjigjet vetëm Kuvendit të Kosovës, ndaj raportin për tenderim ia ka dorëzuar organit më të lartë ligjvënës. I njëjti raport i është dorëzuar edhe UNMIK-ut, ndërsa sa i përket pyetjeve ai ishte i gatshëm të përgjigjet , sipas interesimeve të anëtarëve të komisionit. Në pyetjen e kryetares së Komisionit Edita Tahiri, se a është shkelur interesi nacional me rastin e zgjedhjes s ë Mobikosit, e cila është trashëguese e infrastrukturës së Mobtelit të Serbisë, Anton Berisha theksoi se ne përgjigjemi për zgjedhjen e kompanisë më të mirë në pikëpamje profesionale, duke respektuar kushtetet dhe kriteret e tenderimit, ndërsa shkeljen apo jo të interesit nacional mund ta konstatojë Kuvendi i Kosovës. Berisha theksoi se mund të thotë kategorikisht se është i pastër sa i përket analizës së projektit më të mirë, ne kemi gjykuar ashtu, e Kuvendi mund të vendosë se a mos është shkelur interesi nacional, apo jo .Ai edhe më këtë rast rikonfirmoi se është zgjedhur kompania më e mirë duke u mbështetur në Raportin e Komisionit Special, por edhe në bazë të së drejtës ligjore të Bordit të ART-së, që buron nga Ligji për telekomunikacion dhe mandati i Kuvendit të Kosovës, për të gjykuar se cila kompani për mendimin e tyre paraqet perspektivën më të mirë për ekonominë e Kosovës. Në përcaktimin e ofetuesit më të mirë është marrë parasysh edhe kriteri i pjesëmarrjes e angazhimit të kapitalit vendës. Anton Berisha dha përgjigjet e tij edhe sa i përket mënyrës së zgjedhjes së ART-së , si dhe të kritereve të zgjedhjes së Komisionit special.