Lajmet e fundit
Plotësimet e Kornizës Kushtetuese
, 08.07.2004
Kuvendi i Kosovës, në sesionin plenar të ditës së sotme ka miratuar 38 amendamente nga 42 amendamente të hartuara nga grupi punues për ndryshimin dhe plotësimin e Kornizës Kushtetuese të Kosovës.
Vërejtje:
Në sesionin e sotëm plenar nuk janë mirartuar amendamentet nr. 21, 24, 35 dhe 36. Deputetët janë pajtuar që këto amendamente të rishqyrtohen dhe të jepen në një vesion të vetëm dhe të miratohen në ndonjerën nga seancat e ardhshme.
Më poshtë po japim tekstin e plotë amendamenteve të Kornizës Kushtetuese të Kosovës:
Preambula
Amendament-1
Titulli Kornizë Kushtetuese për Vetëqeverisje të përkohshme në Kosovë zëvendësohet me : Kushtetutë e përkohshme
Amendament-2
Shprehja: Institucione të përkohshme të vetëqeverisjes dhe në gjithë tekstin e Kornizës Kushtetuese IPV zëvendësohet me : Institucionet demokratike të Kosovës.
Kreu I
Amendament-3
Pika 1.1. riformulohet:
Kosova është një vend në administrimin e përkohshëm ndërkombëtar dhe të institucioneve demokratike të Kosovës e cila me popullin e vet ka atribute të veçanta historike, politike, juridike, kulturore dhe gjuhësore.
Amendament-4
Pika 1.3 riformulohet:
Komunat janë njësi administrative territoriale bazë të pushtetit lokal me përgjegjësitë e përcaktuara nga legjislacioni i Kosovës.
Shtohet një pikë e re si vijon:
Pushteti lokal në Kosovë organizohet në qytetin e Prishtinës, komuna, dhe njësi administrative lokale.
Organizimi, struktura organizative, kompetencat dhe fushëveprimi i njësive territoriale rregullohet me ligj të veçantë.
Veprimtaria e mbrendshme e njësive administrative territoriale rregullohet me statut dhe akte tjera nënligjore në përputhje me kushtetutë dhe ligj.
Kufinjtë e Komunave janë të pandryshueshëm. Kufinjtë e Komunave mund të ndryshohen vetëm në bazë të vendimit të Kuvendit të Kosovës.
Amendament-5
Pas paragrafit 1.4. shtohet:
Në Kosovë zbatohet e drejta ndërkombëtare e detyrueshme për të.
Ligjet në Kosovë duhet të jenë në pajtim me marrëveshjet dhe konventat e adoptuara ndërkombëtare.
Në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe në kuadër të kompetencave të tyre, marrëveshje përkatëse ndërkombëtare lidhin Kuvendi, Kryetari i Kosovës, Qeveria dhe organet e pushtetit komunal. Marrëveshjet hyjnë në fuqi pas aprovimit dhe ratifikimit të tyre nga Kuvendi dhe shpalljes së tyre në gazetën zyrtare.
Institucionet e Kosovës përkujdesen për pjesët e komunitetetve të Kosovës dhe banorët e Kosovës që ndodhen jashtë Kosovës, për ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit dhje traditave të tyre në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare.
Institucionet e Kosovës anagazhohen dhe bashkëpunojnë me palët e interesuara për përkujdesjen ndaj qytetarëve të huaj me qëndrim të përkohshëm në Kosovë dhe trajtimin e tyre në pajtim me parimet e së drejtës ndërkombëtare.
Çështjet që kanë të bëjnë me politikën e jashtme dhe bashkëpunimin ndërkombëtar rregullohen me ligj.
Amendament-6
Pika 1.5 : Pas pikës c) Qeveria, shtohet pika e re ç) Gjykata Kushtetuese e Kosovës, dhe vazhdon renditja sipas tekstit ekzistues.
Amendament-7
Pika 1.6 riformulohet: Kryeqytet i Kosovës është Prishtina
Amendament-8
1.7 riformulohet: Simbolet e Kosovës, përmbajtja dhe mënyra e përdorimit të tyre rregullohen me ligj.
Kreu III
Amendament-9
Pas pikës 3.4. shtohet pika e re 3.5. si vijon:
”Liritë dhe të drejtat e njeriut rregullohen me ligj të veçantë.”
Kreu IV
Amendament-10
Pika 4.2 riformulohet :
Çdo kush ka të drejtë të deklarohet ose të mos deklarohet se cilit komunitet i takon.
Amendament-11
Pas pikës 4.3 shtohet pika e re:
4.4. Institucionet e Kosovës respektojnë dhe zbatojnë standardet evropiane për të drejtat e komuniteteve .
Amendament-12
Pika 4.4 (a) riformulohet:
(a) Të përdorin lirisht gjuhen dhe shkrimin e tyre në gjykata, organe, trupa (organe) publike dhe organizata të tjera të Kosovës;
Pika 4.4 (ç) riformulohet:
(ç) Të gëzojnë të drejta të barabarta dhe adekuate në lidhje me punësimin në organet dhe në shërbimet publike të të gjitha niveleve;
Te pika 4.4 (g) pas fjalës ligjin të fshihen fjalët “e zbatueshëm” në të dy rastet.
Amendament-13
Te pika 4.5 fjalia e dytë “Institucionet e përkohshme sigurojnë…. Fshihet deri në fund.
Amendament-14
Te pika 4.6 pas fjalës PSSP-ja, shtohen fjalët “dhe Institucionet Demokratike të Kosovës”
Amendament-15
Pas pikës 4.6 shtohet pika e re:
4.7.Liritë dhe të drejtat e komuniteteve në Kosovë rregullohen me ligj.
Kreu V
Amendament-16
Në pikën 5.1 (b) fjalia “Në çështjen buxhetore dhe fiskale” zëvendësohet me “Politikën buxhetore dhe fiskale”
Në pikën 5.2 fshihet pika (f).
Amendament-17
1. Institucionet Demokratike të Kosovës kanë përgjegjesi të reja në fushat vijuese:
- FUSHËN E MARRËDHËNIEVE NDËRKOMBËTARE
- FUSHËN E RENDIT, SIGURISË PUBLIKE DHE MBROJTJEN EMERGJENTE
- FUSHËN E DREJTËSISË DHE SISTEMIT GJYQËSOR
- FUSHËN E KONTROLLIT TË KUSHTETUTËSHMËRISË DHE LIGJSHMËRISË
- FUSHËN E PUSHTETIT LOKAL
- FUSHEN E ENERGJETIKËS.
2. Në ushtrimin e përgjegjësive në fushat përkatëse themelohen Institucione ekzekutive dhe gjyqësore. (Bëhet pika 5.9.)
Kreu VI
Amendament-18
Riformulohet Kreu 6 si vijon:
Ligji dhe rendi
Shërbimi Policor i Kosovës
1. Shërbimi Policor i Kosovës ështe përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike të qytetarëve, mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarëve të Kosovës, luftimin dhe parandalimin e krimit, mbledhjen e informacioneve, kryerjen e hetimeve dhe zbulimin e krimit, mbrojtjen e institucioneve të Kosovës dhe sigurimin e sundimit të ligjit.
2. Shërbimi Policor i Kosovës funksionon nën autoritetin e Qeverisë së Kosovës.
3. Shërbimi Policor i Kosovës është institucion i depolitizuar dhe në shërbim të qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës
4. Shërbimi Policor i Kosovës në ushtrimin e funksioneve të tij ndihmohet nga policia nderkombëtare dhe forcat e KFOR-it.
5.Organizimi i SHPK-së, struktura dhe veprimtaria e përgjithshme e saj rregullohen me ligj.
Kreu VII
Amendament-19
Riformulohet Kreu 7 si vijon:
Trupat e Mbrojtjes së Kosovës
1. Kosova ka Trupat Mbrojtëse të saj.
2.Trupat e Mbrojtjes së Kosovës është një organizatë profesionale e ndërhyrjes së shpejtë, e themeluar me ligj, e cila në raste fatkeqësish natyrore dhe në raste tjera emergjente në Kosovë ndërmerr detyra për ndërhyrje të shpejtë për sigurinë publike dhe të ndihmës humanitare.
3. Trupat e Mbrojtjes së Kosovës veprojnë nën autoritetin e PSSP-së dhe të IDK të Kosovës.
4. Trupa e Mbrojtjes së Kosovës paraqet organizatë të depolitizuar, profesionale e bazuar në kodet e sjelljes dhe rregullat e përgjegjësisë në shërbim.
5. Organizimi i TMK-së, struktura dhe veprimtaria e përgjithshme e saj rregullohen me ligj.
Kreu VIII
Amendament-20
Nga Kreu 8 pika 8.1. të fshihet nënpika “(e)”.
Kreu IX
Amendament-21
Pika 9.1.3. nënpika (b) riformulohet:
(b). Njëzet (20) prej 120 vendeve rezervohen për përfaqësim plotësues të komuniteteve joshqiptare të Kosovës në rastin kur ato gjatë procesit zgjedhor nuk kanë arritur që të sigurojnë përfaqësimin proporcional në Kuvendin e Kosovës.
i. Përfaqësimi plotësues i komuniteteve joshqiptare dhe rradhitja e vendeve të tyre duhet të jetë në proporcion me numrin e votave të vlefshme që ata i marrin në zgjedhjet për Kuvend.
ii. Në rastin kur ndonjë nga komunitetet joshqiptare ka siguruar përfaqsimin proporcional në Kuvend nëpërmjet zgjedhjeve, ai komunitet nuk e gëzon të drejtën që të marrë vende të tjera plotësuese.
iii. Në rastin kur të gjitha komunitetet joshqiptare kanë siguruar përfaqsimin proporcional adekuat nëpërmjet zgjedhjeve në Kuvend, atëherë 20 vendet e rezervuara ndahen në proporcion me numrin e votave të fituara midis të gjithë subjekteve politike që kanë marrë pjesë në zgjedhjet për Kuvend.
Pika 9.1.3. nënpika (c) riformulohet:
(c). Çdo person që ka mbushur moshën 18 vjeçare në ditën e zgjedhjeve dhe që gëzon statusin e qytetarit të Kosovës, ka të drejtën e votës.
Amendament-22
Pika 9.1.4. fjalët “Kohëzgjatja e Kuvendit është tri vjet” zëvendësohet “Mandati i Kuvendit zgjatë katër vjet”
Amendament-23
Pika 9.1.6. nënpika (ç) pas fjalës ”dënimin e shqiptuar” shtohet: “nga gjykata e Kosovës ose“ dhe vazhdon teksti i vjetër.
Amendament-24
Neni 9.1.7. me pikat a, b, c, ç, d fshihet dhe formulohet ndryshe:
Kuvendi i Kosovës ka Kryetarin dhe katër (alternativë : pesë) nënkryetar, të cilët zgjidhen si vijon:
a) Kryetari dhe një nënkryetar i Kuvendit emërohen nga partia ose koalicioni nga komuniteti shumicë që ka marrë shumicën e votave në zgjedhjet për Kuvend,
b)
1.Një nënkryetar i Kuvendit emërohet nga partia ose koalicioni nga komuniteti shumicë që ka marrë numrin e dytë më të madh të votave në zgjedhjet për Kuvend,
alternativë:
2. Dy nënkryetar të Kuvendit emërohen nga partia ose koalicioni nga komuniteti shumicë që ka marrë numrin e dytë më të madh të votave në zgjedhjet për Kuvend,
c) Një nënkryetar i Kuvendit emërohet nga partia ose koalicioni nga komuniteti shumicë që ka marrë numrin e tretë të votave në zgjedhjet për Kuvend,
ç) Një nënkryetar i Kuvendit emërohet nga partia ose koalicioni që është deklaruar si përfaqësuese e komunitetiti serb të Kosovës, përkatësisht e komuniteteve tjera që ka marrë numrin më të madh të votave në zgjedhjet për Kuvend.
Kuvendi i miraton këto emërime me anë të një vote formale.
Kryetari i Kuvendit dhe nënkryetarët përbëjnë Kryesinë e Kuvendit.
Puna dhe fushëveprimi i nënkryetarve të Kuvendit rregullohet me Rregulloren e punës së Kuvendit.
Amendament-25
Te pika 9.1.10 shtohet paragrafi:
Pos komisioneve kryesore dhe atyre funksionale, Kuvendi formon edhe komisione ad hoc.
Amendament-26
Pas pikës 9.1.24 shtohet paragraf i ri: ”Deputeti nuk mund të ndalet, arrestohet ose paraburgoset pa vendimin e Kuvendit mbi marrjen e imunitetit, me përjashtim të rasteve kur zihet në vepër penale që dënohet me më shumë se tri (3) vjet burg.”
Amendament-27
1. Në përgjegjësi te Kuvendit të Kosovës është:
- Marrja e vendimit për shpalljen e referendumit dhe përcaktimi i formës së vendimit për të cilin bëhet deklarimi i drejtpërdrejtë i qytetarëve me të drejtë vote,
- Miratimi dhe ratifikimi i marrëveshjeve të lidhura nga Institucionet demokratike të Kosovës me vendet tjera,
- Miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nga fusha e përgjegjësive të tij,
- Zhvillimi i bashkëpunimit ndërkombëtar me Parlamentet e vendeve të tjera dhe me institucionet ndërkombëtare,
-Ratifikimi i konventave ndërkombëtare dhe përgjegjësia për harmonizimin e ligjeve të Kosovës me legjislacionin ndërkombëtar,
-Angazhimi për integrimin e vet në institucionet parlamentare ndërkombëtare.
2. Ky amandament plotëson dispoziten 9.1.26. të Kornizës Kushtetuese.
Amendament-28
9.1.32, titulli: “Procedurat vendimmarrëse” zëvendësohet me: “Votimi dhe Procedurat vendimmarrëse”
Amendament-29
Në pikat 9.1.33, 9.1.37 dhe 9.1.38. pas fjalisë: Në fund të fjalisë:...dhe që votojnë.., të shtohet fjala: ”pa llogaritur ata që abstenojnë ose nuk votojnë fare.”
Amendament-30
Në pjesën për Procedurat e miratimit të ligjeve (pika 9.1.34) shtohet paragrafi:
“Nismë legjislative kanë të drejtë të ndërmarrin Qeveria, deputetët, komisionet parlamentare, grupet parlamentare dhe qytetarët që kanë mbështetjen e deponuar me nënshkrime të 20 000 qytetarëve.”