Lajmet e fundit

Dëgjim publik në Komisionin Parlamentar për punë dhe mirëqenie sociale

, 12.07.2004




Komisioni për punë dhe mirëqenie sociale i Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Flora Brovina , nënkryetare e këtij komisioni, organizoi sot dëgjim publik lidhur me Projektligjin për të drejtat e pjesëtarëve të luftës çlirimtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës , të familjeve të dëshmorëve dhe viktimave të luftës, i cili gjendet në procedurë në Parlamentin e Kosovës. Të gjithë pjesëmarrësit ishin unanim në konstatimin se hartuesit, ekspertët dhe ligjvënësit gjenden para vështirësive të shumta kur është fjala për propozimet definitive të tekstit të këtij ligji, duke ditur rëndësinë e tij për mbrojtjen institucionale të kategorive të qytetarëve që përfshin,por edhe materien shumë të ndërlikuar që përmban. Dendur shtrohej dilema se a thua projektligji përfshin të gjitha kategoritë që do të duhej të gëzojnë mbrojtje institucionale , sidomos në titullin e projektligjit, si të përcaktohen kriteret e statusit të këtyre kategorive dhe a mos duhet një ligj i veçantë për këtë çështje, pastaj a duhet të kemi më shumë ligje për këtë kategori qytetarësh, apo vetëm një .Nga përfaqësuesi i grupit punues të projektligjit u tha se qëllimi i sponzoruesit të projektligjit ka qenë që të hartohet një ligj sistematik me disa nënligje, e jo të kemi ligje për çdo kategori të këtyre qytetarëve.Kemi synuar, theksoi ai, që të bëjmë një ligj që do të mbrojë çdo kategori të qytetarëve që kanë pësuar, pra ligj që do të mbrojë të gjitha kategoritë , duke evituar çdo lloj diskriminimi. Gjatë debatit u theksua se në projektligj duhet të përcaktohet mirë data e lëvizjes për çlirim, pra periudha kohore në bazë të së cilës këto kategori të qytetarëve fitojnë të drejtën për mbrojtje institucionale , si dhe burimet e subjektet që do të kenë të drejtën e lëshimit të dëshmive për bartësit e të drejtave që përmban ligji.Në këtë vështrim duhet pasur kujdes gjithnjë edhe faktin se çfarë janë mundësitë materiale të buxhetit të Kosovës për të përmbushur anën financiare për ata që do të gëzojnë këto të drejta, u tha me këtë rast. OSBE-ja ka mirëpritur këtë projektligj. Brengë kryesore jona duhet të jetë sa ky ligj mbron të drejtat e njeriut, sa përmbahet në të sundimi i ligjit të së drejtës.Duhet të synohet që ligji të mos ketë dispozita diskriminuese, theksoi përfaqësuesi i OSBE-së.