Lajmet e fundit
Daci priti në takim lamtumirës shefin e Zyrës Gjermane, Rondorf
, 21.07.2004
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot në takim lamtumirës shefin e Zyrës Gjermane në Prishtinë, Peter Rondorf. Profesor Daci ka vlerësuar punën dyvjeçare të zotit Rondorf në Kosovë dhe e ka quajtur meritë të tij ndihmën e Bundestagut gjerman për Kuvendin dhe interesimin e përhershëm të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë për zhvillimet në Kosovë. Ai ka vlerësuar se janë krijuar baza të mira për bashkëpunim edhe më të suksesshëm ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë dhe është shprehur i bindur se diplomati gjerman do të mbetet mik i përhershëm yni dhe do të vazhdojë të angazhohet për mbarësinë e Kosovës. Peter Rondorf, nga ana e tij, ka vlerësuar takimet e shpeshta dhe shumë të sinqerta me kryeparlamentarin Daci dhe ka shtuar se po ndahet me bindje se ka bërë punë të mirë për Kosovën dhe për marrëdhëniet e ndërsjella. Ai është shprehur se deri në vitin 2005 do të ketë shumë punë për t’u bërë, që të materializohet puna dhe mundi shumwvjeçar i popullit të Kosovës. Zgjedhjet e sivjeme parlamentare, ndërkaq, Rondorf i ka cilësuar shenjë të mirë për të ardhmen e Kosovës.