Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Daci priti PSSP-në, Petersen
, 02.09.2004
Përfaqësuesi Sepecial i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Soren Jessen Petersen, ka vizituar sot Kuvendin e Kosovës dhe ka realizuar takime të veçanta me kryetarin, Nexhat Daci dhe me Kryesinë e Kuvendit. Në të dyja takimet, të cilat kanë kaluar në frymën e mirëbesimit të plotë, janë shtruar çështje të rëndësishme të funksionimit të jetës në Kosovë, të demokracisë, të paqes dhe të zhvillimit. Profesor Daci, duke i uruar zotit Petersen mirëseardhje në Kosovë, ka shprehur mbështetjen e fuqishme për fillimin e mbarë dhe premtues të aktiviteteve të PSSP-së dhe është shprehur i bindur se bashkërish do të realizojnë synimet e qytetarëve të Kosovës. Daci ka shprehur angazhimin e tij për krijimin e një atmosferë të mirë parazgjedhore dhe siguri të plotë, sidomos për minoritetet, në mënyrë që të garantohet pjesëmarrja e të gjithë qytetarëve në zgjedhjet e sivjetme. Nga ana e tij Përfaqësuesi Sepecial i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Soren Jessen Petersen, ka premtuar dialog dhe partneritet me institucionet e Kosovës dhe ka vlerësuar rolin ligjvënës të Kuvendit. Ai është shprehur se në misionin e tij ka mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare për një Kosovë shumetnike, demokratike dhe të përparuar dhe është shprehur optimist në përmbushjen e këtij misioni.