Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Daci priti diplomatët Gentilini dhe Mamboro

, 07.09.2004




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, u takua sot me të dërguarin special të Solanës për Kosovë, z. Fernando Gentilini dhe me shefin e Zyrës së Komisionit Evropian në Kosovë, z. Giorgio Mamboro. Tema themelore të këtij takimi, i cili kishte edhe karakter njohës me z. Mamboro, ishin situata e përgjithshme dhe procesi zgjedhor në Kosovë. Kryeparlamentari Daci përshëndeti hapjen e zyrave të institucioneve të BE-së në Kosovë, duke theksuar se këto zyra do të kenë përkrahjen e Kosovës. Në këtë frymë, ai theksoi se rezultatet i shohim në partneritet dhe në kuadrin e një bashkëpunimi shumë të ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare. Duke folur për aktualitetin kosovar, profesor Daci theksoi se institucionet vendëse, që tashmë kanë krijuar përvojë, po marrin përgjegjësi më të mëdha për t’u ballafaquar me proceset aktuale që po zhvillohen në Kosovë. Ndërkaq, përkitazi me interesimin e mysafirëve për procesin zgjedhor, kryeparlametari Daci theksoi se qytetarët e Kosovës, ashtu si edhe herave të tjera, edhe në zgjedhjet që janë në prag do të dëshmojnë pjekurinë e tyre demokratike, ndaj edhe pritet të kemi zgjedhje fer dhe të suksesshme.