Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Daci mori pjesë në përurimin e monumentit të dëshmorëve të UÇK-së

, 07.09.2004




Në prani të qytetarëve të shumtë të Kastriotit, të përfaqësuesve të pushtetit lokal, të TMK-së, të SHPK-së, të KFOR-it të, veteranëve të UÇK-së, familjarë të dëshmorëve etj, sot u bë perurimi i monumentit të dëshmiorëve të UÇK- nga komuna e Kastriotit.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, i cili bashkë me kryetarin e Kuvendit Komunal, Ismet Hashani, të deleguarin e gjeneralit Çeku, kolonelin Arif Muçolli, dhe pjesëtarët e familjeve të dëshmorëve, ka përuruar këtë monument të luftetarëve të lirisë, ju ka drejtuar qytetarëve të tubuar me këto fjalë:
Të nderuar familjarë të dëshmorëve
Të nderuar përfaqësues të institucioneve dhe të subjekteve politike Të nderuar qytetarë të Kastriotit Ngritja e monumenteve, për të gjithë dëshmorët e kombit, është një shenjë e përkujtimit është një shenjë e mbamendjes historike, për të gjithë ata që nuk kursyen jetën e tyre, nuk kursyen mundin e sakrificën, që populli ynë, të jetojë i lirë e i pavarur në trojet e veta. Përpjekjet për çlirim, gjatë historisë sonë, nuk u ndalën asnjëherë, populli ynë gjithmonë pati njerëz mendjendritur e të guximshëm, trima dhe të sakrificës, që e çonin përpara kauzën kombëtare. Duke u falënderuar personaliteteve të tilla, historia jonë është një nga historitë më të lavdishme të popujve, është një e kaluar që gjithmonë është inspirim për të tashmen dhe për të ardhshmen, është frymëzim për gjeneratat që e bëjnë historinë, e njerëzve që vihen në ballë, në çastin që e kërkon populli, në kohën kur e kërkon atdheu. Të nderuar qytetarë,
Një fjalë thotë se hero mund të bëhesh vetëm njëherë, ndërsa njeri duhet të jeshë gjithmonë . Dëshmorët që sot po i përkujtojmë, me veprën e vet u përjetësuan në histori. Pavdeksia e tyre, na bënë neve, që të jemi krenar, për sakrificën e bijve dhe bijave më të mira të kombit, na bënë që ne sot, të lirë, të jetojmë dhe të punojmë, të mësojmë e të studiojmë, që në një ditë shumë të afërt Kosova të jetë shtet demokratik, anëtar në familjen e madhe të popujve të Evropës, e barabartë dhe e dinjitetshme me kombet e përparuara. Të nderuar pjesëmarrës,
Historia jonë nuk fillon nga dje dhe as nuk fillon me neve. Historia nuk zhvillohet njëtrajtshëm. Ajo i ka ecejakjet e veta dhe vazhdimësinë e saj. Popujt që dinë të respektojnë të kaluarën, që nderojnë traditën, që kujtojnë dëshmorët, dhe të gjithë ata që me punën dhe angazhimin e vet ndihmuan çështjen e atdheut, kanë të ardhme të ndritur. Luftën e lavdishme të popullit të Kosovës, të simbolizuar edhe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duhet ta shohim si vazhdimësi të përpjekjeve shekullore për liri e demokraci. Si gjallërim të idesë, të bartur nëpër shumë gjenerata, të përjetësuar nga shumë heronj e trima të dalë nga gjiu i popullit. Të nderuar qytetarë,
Në ditën e sotme në vitin 1990 u mbajtë mbledhja e Kuvendit të Kosovës në Kaçanik ku u shpall Kushtetuta e Republikës së Kosovës që së bashku me Deklaratën për Pavarësi të Kosovës të Dy korrikut, ishte përfundim institucional i përpjekjeve të popullit të Kosovës i shprehur përmes përfaqësuesve të zgjedhur, që Kosova të jetë shtet i lirë dhe i pavarur. Në kushtet e kohës ishte ky një rezultat i përbashkët i punës dhe i angazhimit të të gjitha shtresave të popullit të Kosovës.
Nderimi i vazhdimësisë është vlerësim i drejtë i historisë, është garancë e unitetit të popullit, është sublimim i të gjitha përpjekjeve për liri, të secilës kohë dhe të secilit brez. Dëshmorët janë të të gjithëve, toka e Kosovës është një dhe e pandashme, kujtimi për të kaluarën i shërben të ardhmes së ndritur të Kosovës. Lavdi dëshmorëve të rënë!
Lavdi sakrificës së popullit tonë në shekuj për liri e pavarsi!
Për jetën, veprën dhe sakrificën më sublime të të rënëve për lirinë e Kosovës kanë folur edhe kryetari i Kuvendit të Kastriotit, Ismet Hashani dhe i deleguari Komandantit të TMK-së, gjeneral lejtnant Agim Çekut, koloneli Arif Muçolli.