Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Daci priti anëtaren e Unionit Ndërparlamentar, Inger Figved
, 13.09.2004
Anëtarja e Unionit Ndërparlamentar, me seli në Gjenevë, Inger Figved, e cila është edhe përfaqësuese e Parlamentit Norvegjez, e ka njoftuar kryeparlamentarin Daci me nismën për krijimin e Qendrës Kërkimore të Kuvendit të Kosovës. Ajo ka elaboruar projektin për këtë qendër dhe ka kërkuar mbështetjen e kryetarit të legjislativit të Kosovës për ta rrumbullaksuar këtë projekt. Kryeparlamentari Daci, nga ana e tij, ka vlerësuar përkrahjen për avancimin e punëve në Kuvendin e Kosovës dhe e ka mbështetur idenë për krijimin e Qendrës Kërkimore. Ai, ndërkaq, ka vlerësuar se krijimi i një instituti, me profesionistë ligjorë vendës dhe ndërkombëtarë, i cili për mision do të kishte vlerësimin e nismave legjislative dhe ndihmën profesionale për deputetët, sa u përket nismave ligjore, do të ishte mbështetja më e mirë për Kuvendin e Kosovës. Zonjen Figved në këtë takim e kanë shoqëruar edhe zëvendësi i përfaqësuesit të përhershëm të UNDP-së në Kosovë, zoti Martins Lunderberg dhe Ali Cakaj, udhëheqës i programit për arkivim elektronik të dokumentacionit të Kuvendit të Kosovës. Daci i ka dhënë mbështetje edhe Programit Zhvillimor të OKB-së ( UNDP), dhe Programit për arkivim elektronik, duke u pajtuar me bashkëbiseduesit se të rinjtë dominojnë në popullatën e Kosovës dhe se kanë shumë interes për programet e avancuara kompjuterike dhe për komunikim me botën.