Lajmet e fundit

Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit për vizitë në parlamentet e Gjermanisë, të Belgjikës dhe të Francës

, 22.09.2004




Nga dita e diel, më 19 shtator, ka filluar një vizitë pune në parlamentet e Gjermanisë, të Belgjikës dhe të Francës një delegacion i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Nerxhat Daci, kryetar i shoqëruar nga ekspertët e BE-së, të ngarkuar për përkrahje Kuvendit.
Delegacioni ka përfunduar të gjitha takimet e parapara në Bundestagun gjerman, ndërsa të mërkurën fillojnë takimet në Parlamentin belg. Ditën e hënë dhe të martë, kryetari Nexhat Daci dhe anëtarët e Kryesisë: Fatmir Sejdiu, Xhavit Haliti, Hydajet Hyseni, Oliver Ivanoviq, Bajram Kosumi dhe Nafie Gash, kanë pasur takime të rëndësishme me përfaqësuesit e grupeve parlamentare të partive kryesore të Bundestagut gjerman: zotërinjtë Dr. Wolfgang Zeh, Ludger Volmer, Dr. Rainer Stinner etj. Delegacioni ka pasur takime edhe me zëvendëspresidentin e Bundestagut gjerman, Dr. Norbert Lammert, i cili është edhe kryesues i delegacionit gjerman IPU ( Unioni Ndërkombëtar i Deputetëve). Në takime me përfaqësues të lartë të Bundrstagut gjerman, kryeparlamentari Daci dhe anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës kanë theksuar të arriturat e Kuvendit dhe të institucioneve të Kosovës, në këtë kohë të tranzicionit dhe kanë prezentuar vështirësitë me të cilat ballafaqohen qytetarët dhe institucionet e vendit. Në këtë dritë është folur për vështirësitë ekonomike dhe sociale me të cilat ballafaqohet Kosova e pasluftës, megjithë ndihmën e vendeve perëndimore, pastaj për raportet me faktorët ndërkombëtarë në Kosovë dhe për domosdoshmërinë e bartjes së kompetencave dhe të përgjegjësive të plota nga ndërkombëtaret tek institucionet demokratike të vendit.
Gjatë vizitës në Berlin, delegacioni i Kuvendit të Kosovës është takuar edhe me zëvendëskryetarin e grupit të veçantë për Mesdheun të Asamblesë Parlamentare të NATO-s dhe anëtarin e Komisionit të Mbrojtjes, Hans Raidel, me të cilin, pos zhvillimeve të tjera është folur hollësisht për gjendjen e sigurisë në Kosovë, për rolin e mekanizmave vendës dhe ndërkombëtarë për një siguri më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës, sidomos për pjesëtarët e minoriteteve. Delegacioni, ndërkaq, ka pasur drekë pune me anëtarët e Komisionit parlamentar për të drejtat e njeriut dhe ndihmën humanitare.
Takim të veçantë delegacioni ka pasur me të ngarkuarin e Bundestagut në konsorciumin e BE-së për përkrahjen e Kuvendit të Kosovës, z. Everhard A. Voss dhe me ekspertë të tjerë të këtij projekti.
Parlamentarët kosovarë kanë poasur edhe një vizitë në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë. Në takim me drejtoreshën kësaj ministrie për politikën e stabilitetit në Evropën Juglindore, zonjen Cyrus, është bërë shumë më i qartë pozicioni i politikës së jashtme gjermane për paqe, zhvillim dhe qëndrueshmëri në rajonin e Evropës Juglindore.
Gati në të gjitha takimet është folur edhe për zgjedhjet parlamentare të 23 tetorit dhe për rëndësinë e pjesëmarrjes në to të qytetarëve të të gjitha etnive që jetojnë në Kosovë. Bashkëbiseduesit, ndërkaq, kanë theksuar interesin për bashkëpunim të ndërsjellë ndërmjet Bundestagut gjerman dhe Kuvendit të Kosovës.