Lajmet e fundit

Udhëheqja e Kuvendit për vizitë në Bruksel

, 22.09.2004




Delegacioni i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, i drejtuar nga kryetari, Nexhat Daci, është pritur sot në Parlamentin Evropian nga zonja Doris Pack, kryesuese e delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore. Është biseduar për zhvillimet në Kosovë, me theks të veçantë për sigurinë, për zgjedhjet e sivjetme parlamentare dhe për decentralizimin. Kryeparlamentari Daci dhe anëtarët e Kryesisë, Sejdiu, Hyseni, Haliti, Ivanoviq, Kosumi dhe Gash, kanë paraqitur pikëpamjet e tyre për proceset në Kosovë, si dhe kanë shprehur gatishmërinë për maksimumin e lirive dhe të sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Në takim me zonjën Pack është kërkuar mbështetje më e madhe për mbarëvajtjen e punëve në Kosovë dhe për rritjen e kapaciteteve qeverisëse dhe të përgjegjësive të institucioneve të Kosovës.
Udhëheqja e Kuvendit të Kosovës është takuar edhe me Grupin për çështje të Ballkanit në Unionin Interparlamentar, kurse në takim dhe në drekën e punës që delegacioni ka pasur me kryetarin e grupit belg në Unionin Interparlamentar, z. François – Xavier de Donnea, kryeparlamentari Daci ka nxjerrë idenë që Kosova të jetë e përfaqësuar me një zyrë në Bruksel, për të pasur kontakt më të mirë me Bashkimin Evropian, por edhe ndërlidhje të UE-së me Kosovën. Parlamentari belg e ka mirëpritur këtë ide dhe e ka quajtur të vlefshme dhe të realizueshme.