Lajmet e fundit

Nga vizita e anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit në Bruksel

, 23.09.2004




Delegacioni i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, gjatë vizitës zyrtare në Bruksel, është pranuar sot në audiencë nga presidenti i Dhomës së Përfaqësueve në Parlamentin e Belgjikës, Dr. Herman de Croo. Kryeparlamentari Daci, në takim shumë miqësor, ka folur për të arriturat e institucioneve të Kosovës në periudhën e pasluftës dhe për vështirësitë me të cilat aktualisht ballafaqohet vendi. Në këtë dritë është përmendur ngecja ekonomike dhe sociale e Kosovës dhe kompetencat e mangëta të institucioneve demokratike të vendit në shumë lëmenj të jetës. Është vlertësuar, ndërkaq, e domosdoshme bartja e kompetencave të plota qeverisëse tek institucionet e vendit dhe zgjidhja e statusit të Kosovës, konform vullnetit të popullit të Kosovës.
Kryeparlamentari belg, Herman de Croo, ka theksuar nevojen e bashkëpuimit të Parlamentit të Belgjikës dhe të Kuvendit të Kosovës. Ai e ka siguruar delegacionin e Kuvendit të Kosovës se Parlamenti belg dhe shteti i Belgjikës do ta mbështesin përparimin e një Kosove demokratike, të një vendi të lirë, në të cilin do të misundojë rendi dhe ligji. Të krijohet siguria, të kthehen të zhvendosurit dhe të zhvillohet demokracia si parakushte për afrimin e Kosovës me Unionin Evropian, ka theksuar nikoqiri. Udhëheqësi i parlamentit belg, ndërkaq, ka premtuar edhe ndihmën e vendit të tij në rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane.
Në takim me të deleguarin e posaçëm për Ballkanin, nga Dhoma e Përfaqësuesve të Parëamentit të Belgjikës, z. Alexis Brouhns, kryeparlamentari Daci dhe anëtarët e Kryesisë, Sejdiu, Hyseni, Haliti, Ivanoviq, Kosumi dhe Gash, kanë zbërthyer dimensione të zhvillimeve në Kosovë, me theks të veçantë për sa i përket sigurisë, bashkëpunimit me mekanizmat ndërkombëtarë në Kosovë dhe çështjes së statusit të vendit.
Zoti Brouhns është shprehur fare hapur në favor të zgjidhjes sa më të shpejtë të statusit të Kosovës. Nëse nuk ka mundur të përcaktohej statusi i Kosovës në kohën e intervenimit ndërkombëtar ndaj regjimit të Beogradit, moszgjidhja e këtij statusi në fund të vitit 2004, gjithsesi do të jetë problem për bashkëinë ndërkombëtare, është shprehur parlamentari belg. Ai, ndërkaq ka folur edhe për decentralizimin e pushtetit në Kosovë, duke theksuar se ai duhet të jetë në favor të gjithë popullit të Kosovës dhe pa i cënuar kufinjt vendit. Brouhns është shprehur se bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë më e vendosur për zgjidhjen sa më parë të statusit të Kosovës, në mënyrë që të hapen perspektiva për afrimin e Kosovës me Unionin Evropian.
Në orët e pasditës udhëheqja e Kuvendit të Kosovës ka pasur takim me kryetarin e Parlamentit të rajonit të kryeqytetit belg, Brukselit, z. Eric Thomas dhe ka këmbyer me te idetë dhe përvojat e funksionimit parlamentar.
Delegacioni kthehet të premtën në Prishtinë.