Lajmet e fundit

Daci uron normalistët në 50-vjetorin e Shkollës Normale

, 29.09.2004




Në pamundësi për të marrë pjesë në manifestimin kushtuar 50 - vjetorit të themelimit të Shkollës Normale në Prishtinë, ju dërgoj përgëzimet e mia më të përzemërta për këtë datë të rëndësishme të arsimimit shqip dhe të kulturës në Kosovë, por edhe të një vepre që zë vend të rëndësishëm në gjithë historinë tonë kombëtare.
Normalja e Prishtinës për gjysmë shekulli ishte një qerdhe e dijes dhe e arsimimit, që gjithë kohën rrezatoi dhe shpërndau dritën e dijes, të arsimimit dhe të civilizimit. Ajo ishte burim i pashtershëm i kuadrove që anembanë Kosovës dhe viseve shqiptare përhapën shkëndijat e arsimit.
Normalistët e Prishtinës ishin dhe mbetën shembull në popull për sakrificën e vet, për punën e pakursyeshme e të palodhshme e shembullore, për kulturën që e çuan në çdo vend, dhe që dhanë kontributin, nga më vendimtarët, që Kosova sot të ketë kuadro të mirënjohura në çdo lëmë dhe të ecë krenare dhe dinjitoze krahas popujve të tjerë evropian. Përulemi përpara farës së arsimimit të dijes dhe të kulturës që e përhapën kudo që ishin e janë normalistët, të cilët bënë që civilizimi ynë sot të jetë pjesë e denjë e civilizimit evropian. Akademik Nexhat Daci Kryetar i Kuvendit të Kosovës