Lajmet e fundit

Zyra Suedeze organizoi një vizitë në fshatin Plemetin të Kastriotit

, 08.10.2004




Agjencioni SIDA–Erikshjalpens që nga viti 1999 ka ndërtuar në Kosovë 600 shtëpi, si dhe shumë objekte të tjera, ndërsa deri në fund të këtij viti do të ndërtohen edhe 60 shtëpi të tjera, në funksion të ruatjes së strukturës multietnike në Kosovë.
Në vazhdë të aksionit për ndërtimin e shtëpive për familjet e minoriteteve, sot Zyra Suedeze në Prishtinë organizoi një vizitë në fshatin Plemetin të Komunës së Kastriotit. Shkas për këtë vizitë ishte përfundimi i punëve në ndërtimin e shtëpisë së familjes shtatë anëtarëshë të Radojica Miliqit nga ky fshat, e cila kishte kushtuar 12 mijë euro. Në këtë çast solemn të dorëzimit të çelësave kësaj familjeje dhe përkrahjes së këtij aksioni, kishin ardhur madhëria e tij Mbreti Carl XVI Gustaf i Suedisë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, viceadmirali i ushtrisë së Suedisë, Frank Rosenins, ambasadori i Suedisë në Beograd Lars Göran Engfelolt, shefja e Zyrës Suedeze në Prishtinë Karin Hernmarck, kryetari i Kuvendit Komunal të Kastriotit Ismet Hashani, Peggy Hicks, shefe e Zyrë për Komunitete dhe të Kthyer në Kosovë, përfaqësuesi agjencionit SIDA–Erikshjalpens, z. Anders Lindgren, si dhe anëtarët e familjes Miliq dhe disa banorë të këtij lokaliteti.
Me këtë rast z. Anders Lindgren theksoi se që nga viti 1999 kjo agjencia SIDA–Erikshjalpens ka ndërtuar në Kosovë 600 shtëpi për pjesëtarë serbë, romë dhe hashkalinj, një ambulancë, disa qendra rehabilituese, ujësjellës e kanalizime në lokalitete të ndryshme, duke ndihmuar përmirësimin e kushteve të jetës së familjeve, në funksion të ruatjes së strukturës multietnike në Kosovë. Deri në fund të këtij viti, tha Lindgren, në Kosovë do të ndërtohen edhe 60 shtëpi, nga të cilat vetëm në Komunën e Kastriotit 18 sosh.
Kreyeparlamentari Daci me këtë rast falëndëroi këtë agjenci dhe shtetin suedez për ndihmën e çmueshme që po u ofron familjeve të minoriteteve në Kosovë.