Lajmet e fundit

Marrja e përgjegjësive në SHPK forcon sigurin e vendit

, 14.10.2004




Shërbimi Policor i Kosovës me punën, angazhimin dhe përkushtimin e tij ka kontribuar në stabilizimin e rrjedhave të përgjithshme, në atë që të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim të jetojnë e punojnë të lirë dhe të sigurtë anekënd vendit.
Gradimet e oficerëve të policisë kosovare dhe sidomos emërimi i shefave të departamenteve janë veprim i drejtë në rritjen e përgjegjësive dhe në marrjen e kompetencave në këtë sektor shumë të rëndësishëm profesional e jopartiak, në shërbim të popullit.
Institucionet e Kosovës ka kohë që angazhohen, që Kosova sa më shpejtë të ketë Ministrinë e Rendit dhe Ministrinë e Drejtësisë, sepse vetëm me marrjen e kompetencave në këto fusha, me angazhimin e plotë të njerëzve të aftë e të përkushtuar mund të sigurohet qetësia dhe siguria dhe mundet me efikasitet të luftohen dhe të pengohen të gjitha aktivitetet kriminale që bien ndesh me ligjin dhe me synimet e shoqërisë kosovare.
Shërbimi Policor i Kosovës do ta ketë përkrahjen dhe mbështetjen e plotë të institucioneve legale dhe legjitime të Kosovës, në funksion të stabilitetit dhe të paqes në Kosovë dhe në rajon, dhe në këtë duhet përgëzuar edhe UNMIK-un në ndihmën e dhënë dhe në bartjen e kompetencave–thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci.