Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Daci vizitoi komunën e Rahovecit

, 20.10.2004




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka vizituar sot Komunën e Rahovecit dhe me udhëheqjen komunale ka biseduar për zhvillimet në këtë komunë dhe për problemet që i shqetësojnë banorët e Rahovecit.
Kryetari i Kuvendit Komunal, Esat Haxhojaha, ka shpjeguar gjerësisht problemet e prodhimit bujqëspor dhe sidomos vështërsitë e plasimit të tyre në treg. Ai ka bërë të ditur se për shkak të importit të pakontrolluar të artikujeve të ndryshëm bujqësorë, shpeshëherë edhe me cilësi të dyshimtë, prodhimet vendore nuk shiten dhe për pasojë bie mirëqenja e bujqëve të vyer të Rahovecit. Ai ka kërkuar, ndërkaq, që të aktivizohen kapacitetet përpunuese ekzistuese dhe të ndihmohet për ngritjen e fabrikave të reja për përpunimin e rrushit dhe të perimeve.
Daci është shprehur se Rahoveci gjithësesi meriton më shumë. Ai është angazhuar për zhvillimin e këtij rajoni bujqësor dhe ka premtuar ndihmën e institucioneve të Kosovës që kjo edhe të realizohet.
Kryeparlamentari Daci po sot ka vizituar edhe familjen Haxhinalli në fshatin Krushë, e cila gjatë luftës së fundit i ka dhënë katër dëshmorë. Profesor Daci duke e vlerësuar lartë kontributin e të flijuarve për lirinë e Kosovës është shprehur se është bërë pak për dëshmorët dhe familjet e tyre. Ai është angazhuar që çështja e familjeve të dëshmorëve të rregullohet me ligj, duke i dhënë përparësi punësimit dhe shkollomit të familjarëve të dëshmorëve.