Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Daci priti një grup përfaqësuesesh të OJQ-ve nga Maqedonia dhe Kosova

, 26.10.2004




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot një delegacion të gjerë të përfaqësueseve të organizatave joqeveritare të grave nga Maqedonia dhe Kosova, me të cilat ka biseduar për rolin e gruas në jetën politike dhe shoqërore, për përfaqësimin e saj në insitucionet qeverisëse dhe për rëndësinë e bashkëpunimit të organizatave të gruas në rajon. Vizita është realizuar në kuadër të seminarit që po mbahet në Prishtinë, në temën “Nga menaxhimi i konflikteve deri te komunikimi dhe bashkëpunimi”, të cilin e ka organizuar fondacioni “Fridrich Naumann”, në bashkëpunim me rrjetin e grave “Së bashku” nga Maqedonia dhe Rrjetin e grupit të grave të Kosovës. Jemi ndër parlamentet e rralla në botë, ku rreth një e treta e deputetëve të jenë gra, është shprehur kryeparlamentari Daci, i cili deputetet e Kosovës i ka vlerësuar më kooperative dhe më tolerante se sa kolegët e tyre. Ai ka vlerësuar gjithashtu kontributin enorm të grave në çlirimin e vendit dhe rolin e gjithanshëm të gruas në shoqërinë e Kosovës. Ndër aktivitetet e rëndësishme të Kuvendit të Kosovës për forcimin e pozitës së gruas, Daci ka përmendur Ligjin për barazi gjinore, i cili ka qenë i propozuar nga vetë gratë dhe Ligjin kundër diskriminimit. Duke folur, ndërkaq, për marrëdhëniet e mira ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës, Daci është shprehur: “E mbështesim koalicionin qeveritar, e mbështesim integritetin dhe neutralitetin e Maqedonisë dhe po krijojmë një politikë të fqinjësisë së mirë. Daci ka përkujtuar mikpritjen e e jashtëzakonshme të popullit të Maqedonisë gjatë eksodit të madh të popullit të Kosovës, si pasojë e terrorit të regjimit të Beogradit dhe ka shtuar se Kosova nuk është e ineresuar të eksportojë kriminalitet dhe destabilizim në Maqedoni, por nuk e dëshiron as importimin e tyre. Përfaqësueset e organizatave joqeveritare të grave nga Kosova dhe Maqedonia (kishte maqedonase, shqiptare, turke etj,) janë angazhuar për promovimin e tolerancës, të dialogut ndëretnik, parandalimin e konflikteve dhe janë shprehur në favor të forcimit të marrëdhënieve, si dhe të thellimit të bashkëpunimit ndërmjet asociacioneve të grave ndërmjet të dy vendeve dhe gjithë rajonit.