Lajmet e fundit

Njoftim i Zyrës së Kryetarit të Kuvendit të Kosovës

, 28.10.2004




Duke e përshëndetur gatishmërinë dhe praktikën e Qeverisë së Kosovës, që të kërkojë arbitrazh nga UNMIK-u, në kontestet që vlerëson se i ka me Kuvendin, i cili e ka zgjedhur, sqarojmë se Kryetari i Kuvendit te Kosovës nuk pati dhe nuk ka asnjë propozim, apo preferencë për zgjedhjen e anëtarëve dhe të kryetarit të Komisionit Rregullativ për Prokurim Publik, as të përkohshëm e as të rregullt.
Kuvendi në mbledhjen plenare më 28, 29 dhe 30 korrik 2004, në të cilën ishte në shqyrtim ky propozim i Qeverisë, pasi i zgjodhi anëtarët e KRPP-së, nuk mundi ta zgjedhë kryetarin, meqë nuk pati kuorum, sepse deputetët e një grupacioni politik, pjesëmarrës të koalicionit qeveritar, e lëshuan mbledhjen.
Në vazhdim të seancës Kuvendi, në përbërje të plotë, pa asnjë votë kundër, miratoi propozimin që të zgjidhet kryetari i përkohshëm i KRPP-së. Kjo edhe i është përcjellë me shkrim Qeverisë, për të mundësuar që Komisioni Rregullativ i Prokurimit, të punojë. Pra, në të gjitha variantet propozimet janë të Qeverisë dhe asnjë propozim për anëtarët apo kryetarin nuk ishte i Kuvendit.