Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Daci priti ambasadorin amerikan në Beograd, Micheal Polt

, 28.10.2004




Në takimin që kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, pati sot me ambasadorin amerikan në Beograd, Micheal Polt, është biseduar për zhvillimet në Kosovë të një periudhe më të gjatë kohore, me theks të veçantë për zgjedhjet parlamentare të 23 tetorit dhe për gjasat e përfaqësimit të minoritetit serb në institucionet legjitime dhe demokratike të vendit.
Profesor Daci, duke përvijuar vizionin për ardhmërinë e vendit, ka theksuar rrugën e pandalshme të Kosovës për liri, demokraci dhe zhvillim gjithpërfshirës të vendit. Zgjidhja më e mirë për Kosovën, rajonin dhe më gjerë, do të ishte integrimi në Bashkimin Evropian dhe në mekanizmat evroatlantik, është shprehur Daci, i cili është angazhuar për përgjegjësi të plota të Kosovës edhe në drejtësi dhe siguri. Një Kosovë e tillë me kapacitet të plotë qeverisës, me një qeveri të përgjegjshme dhe me kompetenca të plota, që ka edhe resurse të mjaftueshme ekonomike dhe humane, do të ishte zgjidhja më e mirë edhe për qytetarët e minoritetit serb në Kosovë, ka thënë Daci. Ai me këtë rast ka theksuar se qytetarët serbë të Kosovës i sheh si qytetarë të barabartë në të drejta dhe në obligime.
Ambasadori amerikan në Beograd, Micheal Polt, ka shprehur qartas interesimin e qeverisë së SHBA-ve për zhvillime pozitive në Kosovë dhe në rajon, duke theksuar mundësitë për paqe, stabilitet dhe zhvillim ekonomik për vendet e rajonit, si parakusht për krijimin e një jete më të mirë për gjeneratat e reja.