Lajmet e fundit

Letër e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci

, 09.11.2004




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, iu ka dërguar një letër, përkatësisht, Përfaqësuesit të lartë të BE-së për politike të jashtme dhe çështje të sigurisë, Javier Solana, Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-së, Jaap de Hoop Scheffer, Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë ,Soren Jessen- Petersen, Nënsekretarit të Departamentit të Shtetit për marrëdhënie politike, Marc Grossman, Ministrit për Evropë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Denis MacShane me këtë përmbajtje : I nderuar zotëri, Po ju shkruaj për të shprehur mendimin dhe qëndrimin tim rreth procedurës së Gjykatës së Hagës për kryetarin e subjektit politik AAK, dhe deputetit të Kuvendit të Kosovës, zotëri Ramush Haradinaj. Tribunali i Hagës gëzon përkrahjen e të gjithë qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës për faktin se vendi im pësoi shumë nga lufta, që u nxit dhe u zhvillua nga regjimi i Millosheviqit, i përkrahur nga të gjithë mekanizmat e shtetit, për të cilën gjë mbështes qëndrimin që , asnjë vepër e dënueshme nuk vjetrohet dhe nuk duhet të mbetet e pandëshkuar. Më lejoni të shpreh mendimin tim se sikur Gjykata e Hagës të kishte karakterin si Gjyqi i Nyrnbergut do të kishim dënimin e një politike që ishte shoviniste, gjenocidiale, shfarosëse..., sot me këtë do të kishim ndihmuar edhe proceset demokratike në Ballkan dhe sidomos në Serbi. Për Ramush Haradinajn kam konsideratat, si njeri të angazhuar, që ka dhënë kontribut të veçantë në ndërtimin e institucioneve të Kosovës, në proceset e demokratizimit dhe të stabilitetit, që pati ndikim shumë pozitiv, para, gjatë dhe pas ngjarjeve të marsit 2004 në Kosovë. Respektoj dhe e mbështes qëndrimin e zotëri Haradinajt që në çdo kohë dhe në çdo formë të jetë i disponueshëm e kooperativ me Gjykatën e Hagës për t’ u vënë drejtësia dhe satifaksioni në vend. I nderuar zotëri, Më lejoni të konstatoj se hapja e hulumtimeve me publicitet dhe me fjalët e kryeprokurores z. Del Ponte se - ”deri në fund të këtij viti do të përgatitet një aktakuzë solide për një nga udhëheqësit e UÇK-së”, shkakton shqetësim te qytetarët e Kosovës dhe mund të paraqitet si pengesë në punën e institucioneve demokratike të Kosovës për vazhdimin e progresit të arritur bashkë me Bashkësinë ndërkombëtare. I nderuar zotëri, Duke ditur kontributin tuaj rreth çështjes së Kosovës, Ju kërkoj që të bëni çdo gjë që është e mundur që hetimet e Gjykatës së Hagës të jenë në funksion të paqes e stabilitetit në Kosovë dhe në funksion të ndërtimit të institucioneve demokratike legale e legjitime që do të përfaqsonin interesat e të gjithë qytetarëve, pa dallim dhe do të ndikonin në stabilizimin e rrjedhave e të mirëkuptimit në rajon. Me respekt, Prof. Dr. Nexhat Daci Kryetar i Kuvendit të Kosovës 9 nëntor 2004, Prishtinë