Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Daci takohet me përfaqësuesin special të Solanës për Kosovë, z. Jan Kickert

, 11.11.2004




Konstituimi i institucioneve të Kosovës në mbështetje të rezultateve zgjedhore të 23 tetorit , kontributi i madh që dha Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Havier Solana, në proceset demokratike në Kosovë dhe procedura që po zhvillohet nga Tribunali i Hagës ndaj Ramush Haradinajt ishin çështje thelbësore të takimit të sotëm që pati kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, me përfaqësuesin special të Solanës për Kosovë, z. Jan Kickert. Profesor Daci, duke komplementuar ndihmën e zotit Solana në proceset demokratike në Kosovë, shprehu dëshirën që të vazhdohet ky bashkëpunim. Kjo ndihmë gjatë tri viteve për krijimin e institucioneve demokratike në Kosovë ishte shumë e çmueshme , ndaj Solana u karakterizua si një përkrahës dhe mbështetës i fuqishëm i proceseve demokratike. Në vijim kryeparlamentari Daci e informoi z. Kickert se ai i ka drejtuar një letër, si mik, zotit Solana që Kosova duhet ta fillojë rrugën e vërtetë demokratike,të krijojë institucionet e veta mbi bazën e rezultateve elektorale, duke theksuar se proceset e mirëfillta demokratike nuk mund të ekzistojnë pa pozitë dhe opozitë. Nëpërmjet kësaj letre kryeparlamentari Daci e ka informuar zotin Solana edhe për kontributin enorm të liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, zotit Hajredinaj, në stabilitetin e rrugës institucionale që kishim, me tërë kapacitetin e tij. Bashkëpunimi me zotin Solana duhet të vazhdoje edhe më tutje, madje i mirëseardhur është edhe angazhimi i dy përfaqësuesve të tij në Kosovë, sidomos me njerëz qe dinë rrethanat e këtushme, për të vazhduar rrugën e integrimit tonë ne Evropë.Në vijim kryeparlamentari Daci shprehu pakënaqësinë e tij shumë të madhe që pikërisht në këtë moment hapet procedura ndaj Ramush Haradinajt nga ana e Tribunali të Hagës, kur siç tha ai, ishim afër në krijimin e institucioneve. Drejtësia duhet të respektohet dhe është kënaqësi e madhe që zoti Hajredinaj vetë e ofron këtë dhe është njeri transparent dhe publik, i gatshëm që t’ i nënshtrohet rrugëve të drejtësisë. Për këtë çështje kishim të njëjtin mendim me z. Kickert, por shpresoj që kjo të tejkalohet lehtë dhe Kosova bashkarisht me bashkësinë ndërkombëtare t’ i ketë institucionet demokratike, sepse na presin shumë sfida në një kohë të shpejtë, gjysma e viti 2005 është shumë afër , madje përfaqesuesi special i OKB-së kërkon që kryeministri në fund të muajit të jetë në Nju –Jork, bashkë me zotin Petersen, prandaj ne po bëjmë çmos që bashakarisht të vijojmë këtë rrugë.