Lajmet e fundit
Të enjten konstituohet Kuvendi i ri i Kosovës
, 02.12.2004
Nesër, më tre dhjetor, duke filluar në orën 11, në prani të korit diplomatik të akredituar në Prishtinë, do të bëhet konstituimi i përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës dhe do të zgjedhen institucionet kryesore të vendit: Kryesia dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, kryetari i Kosovës, si dhe kryeministri dhe Qeveria. Është paraparë që me këtë rast deputetëve t’u drejtohet Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Kosovë, Soren Jessen – Petertsen. Seancën e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, deri sa të zgjedhet kryetari i Kuvendit, do ta drejtojë deputeti më i vjetër në moshë, akademik Mark Krasniqi. Ndihmëse e tij do të jetë deputetja Nekibe Kelmendi. Është vendosur që gjatë zgjedhjes së organeve dhe të udhëheqësve të institucioneve të vendit të respektohen me përpikëri parimet e Kornizës Kushtetuese dhe Rregullorja e punës së Kuvendit.