Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Daci priti kryeministrin Haradinaj

, 06.12.2004




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, e ka pritur sot, në zyrën e tij të re, kryetarin e Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ka biseduar me te për funksionalizimin e punës dhe të raporteve ndërmjet legjislativit dhe të ekzekutivit të vendit. Me këtë rast është biseduar edhe për programin e punës së Qeverisë dhe për fjalën të cilën kryeministri Haradinaj pritet ta mbajë në seancën vijuese të Kuvendit të Kosovës. Po mundohemi që nga dita e parë e ushtrimit të funksioneve të jemi të përgjegjshëm ndaj institucioneve dhe elektoratit , u ka thënë kryeparlamentari Daci gazetarëve pas takimit me kryeministrin Haradinaj. Ai ka shprehur shpresën se viti 2005 do të japë sinjale relaksuese për qytetarët e Kosovës. Profesor Daci e ka uruar Haradinajn për postin me përgjegjësi që e ka marrë dhe i ka premtuar një vizitë përgëzimi edhe në zyrën e tij, në Qeveri. Kryeministri Haradinaj, ndërkaq, u ka deklaruar gazetarëve se para se ta mbajë takimin e parë të Qeverisë së Kosovës, ka ardhur ta informojë kryetarin e Kuvendit të Kosovës për përgatitjet e bëra për këtë mbledhje dhe ka shprehur vullnetin të punojnë bashkëarisht me zotin Daci, që seanca vijuese e Parlamentit të jetë e suksesshme, sikurse edhe prezantimi i Qeverisë para deputetëve dhe opinionit të gjerë.
Kryeparlamentari Daci priti kryeministrin Haradinaj