Lajmet e fundit
U mbajt mbledhja e parë e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës
, 09.12.2004
Kryesia e re e Kuvendit të Kosovës, në përbërje: Nexhat Daci, kryetar dhe Xhavit Haliti, Fatmir Sejdiu, Ramë Buja, Gazmend Muhaxheri dhe Xhezair Murat, anëtarë, mbajti sot mbledhjen e saj të parë dhe përcaktoi rendin e ditës për seancën vijuese të Parlamentit. Në seancën e ardhshme është paraparë që deputetët dhe Qeveria ta japin betimin solemn, megjithëse tre anëtarë të Kryesisë votuan kundër betimit të deputetëve, me motivacionin se ky akt është dashur të bëhet para se të zgjedheshin presidenti, kryetari i Kuvendit dhe Qeveria. Po në atë seancë do të prezantohet programi i Qeverisë së Kosovës dhe deputetët do të kenë rastin të debatojnë për atë. Duke pasur parasysh se Qeveria do ta shqyrtojë programin e saj të martën e ardhshme, atëherë, bazuar në rregullën, sipas së cilës deputetët duhet ta kenë programin e Qeverisë së paku pesë ditë para se të shqyrtohet në Kuvend, seanca plenare, me këtë rend dite, mund të mbahet eventualisht nga fundi i javës së ardhshme. Kryesia e ka mbështetur propozimin e Konzorciumit për Mbështetje Kuvendit, që për funksionalitet dhe mbarëvajtje të punëve, kjo legjislaturë të punojë me dhjetë komisione parlamentare ( në vend të nëntëmbëdhjetë sish, sa kishte legjislatura e shkuar). Anëtarët e Kryesisë kanë mbështetur edhe skemën e propozuar për komisionin prej dymbëdhjtë anëtarësh të Rregullores së Punës, me sugjerimin që grupet parlamentare, mundësisht, të propozojnë ekspertë të lëmit përkatës.