Lajmet e fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës , Nexhat Daci, u takua me një delegacion të FMN-së
, 15.12.2004
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka pritur me shqetësim suficitin e buxhetit të Kosovës për vitin 2004. Mirëpo, në këtë situatë është me interes që ky suficit të mos harxhohet shpejt e shpejt, por të ketë destinim të caktuar. Ky ishte një nga konstatimet kryesore të takimit të sotëm të kryetarit të Kuvendit të Kosovës , Nexhat Daci, me një delegacion të Misionit për Kosovë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të përbërë nga Dimitri Demekas,Gerwin Bell dhe Marc Auboin. Duke pasur parasysh të gjitha këto, FMN-ja ka përgatitur disa sugjerime lidhur me Projekt Buxhetin e Kosovës për vitin 2005. Delegacioni nga ky institucion theksoi se nuk ka për qëllim të kontrollojë suficitin , por vetëm angazhohet që ai të harxhohet me një tempo gradual . Kryeparlamentari Daci theksoi se buxheti i vitit 2004 nuk është kontrolluar nga Qeveria dhe ministria përkatëse. Ndërkaq, Autoriteti Qendror Fiskal ka paraparë të hyrat, por jo edhe mënyrën se si të harxhohen ato. Suficiti është rrjedhojë e politikës që ka udhëhequr AQF-ja . Kryeparlamentari Daci u angazhua që suficiti të jetë në funksion të riaktivizimit të resurseve ekonomike që do të ndihmonin zhvillimin më të hovshëm të vendit.