Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Daci priti shefin e Zyrës gjermane, Jurgen Engel

, 20.12.2004




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot shefin e Zyrës gjermane në Prishtinë, z. Jurgen Engel dhe ka biseduar me te për objektivat e legjislativit të Kosovës dhe për bashkëpunimin e Kuvendit të Kosovës me Bundestagun gjerman.
Profesor Daci e ka vlerësuar shumë të rëndësishëm për deputetët e Kosovës bashkëpunimi me Bundestagun gjerman dhe me parlamentet e landeve të Gjermanisë. Daci është shprehur se Kuvendi i Kosovës do të punojë me përgjegjësi profesionale dhe politike në përmbushjen e standardeve dhe miratimin e legjislacionit të nevojshëm. Në këtë vështin ai e ka njoftuar diplomatin gjerman se do të tentojë të punojë me koncensus të plotë për çështjet me rëndësi për vendin. Daci ka theksuar faktin se rreth gjysma e komisioneve parlamentare do të udhëhiqen nga përfaqësues të opozitës. Shefi i Zyrës gjermane Jurgen Engel, e ka përgëzuar kryeparlamentarin Daci për rizgjedhjen në krye të legjislativit të Kosovës. Ai ka premtuar vazhdimin e bashkëpunimit me Bundestagun gjerman dhe me parlamentet e landeve, sidomos ka vënë në pah programin për mbështetjen Kuvendit të Kosovës, që udhëhiqet nga ekspertë të Bundestagut gjerman, të Asamblesë Nacionale të Francës dhe të Parlamentit të Belgjikës.
Diplomati gjerman, Engel, ka folur edhe për programin e Qeverisë së Kosovës, i cili siç është shprehur ai, është pritur shumë mirë në Gjermani.
Bashkëbiseduesit janë pajtuar që të punohet për përmbushjen e standardeve, për zhvillim gjithpërfëshirës dhe për paqe e stabilitet të vendit dhe të rajonit.