Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Daci priti përfaqësuesit e Solanës: Fernando Gentilini dhe Jan Kickert

, 21.12.2004




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot përfaqësuesit e komisionerit të lartë për politikë të jashtme dhe siguri të Bashkimit Evropian, z. Javier Solana: z. Fernando Gentilini dhe z. Jan Kickert. Takimi ka qenë në shenjë të kthimit të sërishëm në detyrë të zotit Gentilini, pas shërimit nga pasojat e një aksidenti në komunikacion, si dhe shkuarjes në detyrë të re të zotiti Kickert në Ministrinë e Jashtme të Austrisë. Urimet për suksese në detyrë kanë qenë të ndërsjella, kurse atmosfera e takimit shumë miqësore.
Kryeparlamentari Daci ka falënderuar për ndihmën e madhe të Unionit Evropian për Kosovën dhe është shprehur optimist se bashkëpunimi i mirë në bazë të partneritetit të vërtetë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Unioni Evropian dhe shtetet anëtare të tij do të vazhdojnë ta mbështesin Kuvendin e Kosovës në planin e hartimit të legjislacionit të nevojshëm për vendin dhe aftësimit të komisioneve parlamentare për të amendamentuar ligjet, është thënë në takim. Daci është shprehur optimist se institucionet e Kosovës të dala nga zgjedhjet e tetorit do ta kryejnë me sukses besimin që u është dhënë. Përfaqësuesi i Solanës, Fernando Gentilini, është shprehur optimist se Kosova po hyn me sukses në fazën e konsolidimit dhe të përmbushjes së standardeve, që do të jenë kusht për paqe, përparim dhe stabilitet të vendit.
Bashkëbiseduesit kanë theksuar ineresin e bashkëpunimit të institucioneve të Kosovës me mekanizmat e Unionit Evropian.