Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Daci priti kryeadministratorin Petersen

, 10.01.2005




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, e ka pritur sot Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Seren Jessen-Petersen dhe ka biseduar me te për zhvillimet në Kosovë, me theks të veçantë për punën e institucioneve të Kosovës në vigjilie të fillimit të bisedimeve për çështjen e statusit të vendit.
Kryeadministratori Petersen e ka vlerësuar vitin 2005 shumë të rëndësishëm për Kosovën dhe popullin e saj. Në këtë vështrim ai ka kërkuar angazhim të shtuar të institucioneve të Kosovës, sidomos sa i përket zhvillimit ekonomik të vendit, lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe përmbushjes së standardeve. Ai me këtë rast ka premtuar mbështetjen e institucioneve të Kosovës për realizimin e këtyre objektivave. Petersen, nërkaq, ka premtuar më shumë kompetenca për institucionet e vendit, madje edhe për sa i përket sigurisë dhe drejtësisë. Kryeparlamentari Daci duke folur për prioritetet e Kosovës, të përvijuara nga bashkësia ndërkombëtare, siç janë: standardet, ekonomia dhe decentralizimi, duke theksuar që faktorët ndërkombëtarë duhet të shprehen qartas se nuk do të ketë ndërrim të kufijve të Kosovës, nuk do të ketë ndarje dhe nuk do të ketë decentralizim mbi baza etnike. Do të ketë, ndërkaq, komuna minoritare, aq sa nevojiten për zhvillimin normal të tyre, është shprehur Daci, i cili është angazhuar edhe për lidhjen e Kosovës me Korridorin 10 dhe Korridorin 8. Bashkëbiseduesit janë pajtuar se duhet të krijohet siguri e plotë për lëvizjen e qytetarëve, për biznes të sigurt të tyre, për një zhvillim të përshpejtuar ekonomik të vendit dhe për krijimin e rrethanave të favorshme për thithjen e kapitalit të huaj, në funksiuon të interesit të përbashkët dhe zhvillimit të vendit. Daci dhe Petersen janë pajtuar gjithashtu për bashkëpunim ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Zyrës Ligjore të UNMIK-ut, në gjithë procedurën e hartimit dhe të miratimit të ligjeve.